Projektligji më i rëndësishëm ekonomik i vendit është drejt finalizimit. Projektbuxheti i vitit 2027, do të kapërcejë vlerën e 10 miliardë eurove, nga rreth 9.6 miliardë euro që është buxheti aktual pas rishikimit që iu bë në muajin qershor.

Këto para do të jenë në dispozicion të institucioneve për tu shpenzuar për shërbime shëndetësore, për paga, për skemat e mbështetjes të familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për sigurinë, në kuadër të detyrimeve ndaj NATO-s.

Në 2027-ën fokusi në financim do të jetë përsëri tek shëndetësia dhe mbrojtja. Në total për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të jepen 89.3 miliardë lekë, nga 86.4 miliardë lekë këtë vit.

Ndërsa buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë 76.5 miliardë lekë, nga 69.2 mld lekë që është buxheti i këtij viti, kështu fondet e dedikuara për mbrojtjen arrijnë në 2.35% të PBB-së, në linjë edhe me përmbushjen e detyrimeve të NATO-s, në mënyrë që në 2035-ën, fondet për këtë sektor të jenë 3.5% e Prodhimit Kombëtar.

Për vitin e ardhshëm është parashikuar të vijohet me financimin e bonuseve mujore për pensionistët duke i dyfishuar pagesat në raport me këtë vit.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që do të financohet me buxhetin e 2027-ës, do të jetë edhe reforma e re e mbështetjes së familjeve për fëmijët.

Nga viti i ardhshëm nuk do të ketë më bonus për bebet që do të lindin, por pagesë mujore deri në moshën 5 vjeçare. Qeveria planifikon që të japë 5 mijë lekë në muaj për fëmijën e parë, 7 mijë lekë për të dytin dhe 10 mijë lekë për të tretin e në vijim.

Buxheti i vitit të ardhshëm do të shoqërohet edhe me paketë fiskale, me ndryshime si në taksat tatimore ashtu edhe doganore, do të vijohet edhe me uljen e përjashtimeve që aktualisht janë në fuqi, por edhe për tu përshtatur me ligjet e BE.

SKEMA E RE BONUSIT TË BEBES
                      Është                      Bëhet
Fëmija 1      40 mijë lekë          5,000 lekë/muaj
Fëmija 2      80 mijë lekë          7,000 lekë/muaj
Fëmija 3     120 mijë lekë        10,000 lekë/muaj

 

BUXHETI 2027 PËR INSTITUCIONET
                                                   Viti 2026        Viti 2027
Ministria e Shëndetësisë       89.3 mld lekë    86.4 mld lekë
Ministria e Mbrojtjes           76.5 mld lekë      69.2 mld lekë