TIRANË- Me urdhër të SPAK, janë ushtruar disa kontrolle pas përgjimeve të publikuara nga ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj, për trafik armësh përmes Kayo. Burime bëjnë me dije se Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zbarkuar bastisur në vilën e biznesmenit shqiptaro-amerikan- izraelit Ron Yeffet dhe ende po ushtrojnë kontrolle.

SPAK ka nisur hetimet kryesisht, pas audiopërgjimeve që publikoi Ahmetaj për trafik armësh.GJKKO ka miratuar po ashtu kërkesën e SPAK për kontroll personal të biznesmenit Yeffet. Kontrolle janë kryer edhe në disa ambiente të tjera, si edhe në Ministrinë e Mbrojtjes drejtuar nga Ermal Nufi, ku siç sqarojnë burimet janë sekuestruar një sërë dokumentesh lidhur me praktikën e tenderëve. Edhe kompania TIMAK është pjesë e hetimit intensiv që po kryen SPAK.

Në audiopërgjimet e publikuara nga Ahmetaj, ai pretendon se në qendër të bisedave është biznesmeni izraelito-amerikan Ron Yeffet dhe dy persona të identifikuar vetëm si Igor dhe Sergei. Sipas ish-zv.kryeministrit, bisedat lidhen me një skemë të dyshuar për trafik armësh dhe municionesh përmes Shqipërisë, ku përmenden edhe KAYO dhe TIMAK.

Komunikimi i bërë publik nga ish zëvendësministri prek disa tema, që nga krijimi i një kompanie të përbashkët me aksioner 20 përqind shtetin, për një projekt energjetik në Delvinë, te një skemë e ngjashme për gazin në Vlorë, ku partnerët ukrainas do të duhet të krijojnë një kompani mbulesë në Shtetet e Bashkuara, deri te biseda që lënë të kuptosh për një trafik të mundshëm armësh e municionesh të prodhuara në Afrikë e që sipas një fraze në audiopërgjim, paketimi do të bëhej në Shqipëri.

Gjatë bisedave dëgjohen herë pas here referenca për KAYO-n dhe Timak-un, kompaninë në të cilën Yeffet është partner me 49 përqind dhe Arjeta Puca ka 51%. Timak ka hyrë në partneritet me ndërmarrjen shtetërore ushtarake Kayo, ku ka 80 përqind të Timak Defence. Yeffet dhe Puca kanë në bashkëpronësi në Shqipëri edhe kompani të lidhura me Timac si TIMAK AVIATION, UNO18 në fushën e prodhimit dhe shitjes së armëve e disa kompani të tjera.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:00
Kontrollet te Ron Yeffet pas audiopërgjimeve për trafik armësh, PD: Të hetohet deri në fund e gjithë skema, shefi i aferës është Rama

1790344293_seliaepd.JPG

Deputeti i PD-së Klevis Balliu reagoi pas kontrolleve të SPAK në vilën e biznesmenit Ron Yeffet pas audiopërgjimeve për trafik armësh. Balliu akuzoi Ramën si “përgjegjësin kryesor” të skemës së pretenduar dhe tha se SPAK duhet ta hetojë çështjen deri në fund.

“SPAK ka zbarkuar te shoku i Edi Ramës, Ron Yeffet, i cili, në bashkëpunim me qeverinë, po vjedh miliona euro nga qytetarët. Por SPAK duhet të fillojë të shkojë te shefi i këtyre aferave. SPAK duhet të kontrollojë banesën e shefit të Ron Yeffet, Edi Ramës. Sepse çështja nuk është të ndërrojmë një Ron Yeffet me një Ron Yeffet tjetër. Çështja është të shkojmë te përgjegjësi kryesor dhe të hetojmë deri në fund të gjithë skemën”, shkroi Klevis Balliu.