Pas nisjes së hetimeve kryesisht nga SPAK për veprat penale shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë në tendera, për aludimet e ish-kryeministrit Arben Ahmetaj për trafik armësh përmes kompanisë “KAYO”, që po drejtohen nga kryeprokurori, Klodian Braho, BKH vijon kontrollet dhe me vendim të GJKKO-së ka sekuestruar disa celularë.
Sipas mediave, një ndër celularët e sekuestruar është edhe ai i drejtorit të KAYO, Ardi Veliu. Pas audio-përgjimit të publikuar nga Ahmetaj, hetimi çoi edhe në sekuestrimin e celularit të të Aleks Markut, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, biznesmenit Ron Yeffet dhe biznesmenes Arjeta Puca, shkruajnë mediat.
Një ditë më parë, me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO, kontrolle u kryen edhe në ambiente të lidhura me biznesmenin Ron Yeffet në vilën e tij në Pëllumbas, në periferi të Tiranës, dhe kompaninë TIMAK, ndërsa hetuesit sekuestruan dokumente dhe materiale që do t’i nënshtrohen verifikimit.
SPAK zbarkoi edhe në Ministrinë e Mbrojtjes drejtuar nga Ermal Nufi, ku janë sekuestruar një sërë dokumentesh. Ministria e Mbrojtjes është 100% pronare e kompanisë KAYO, e cila së bashku me biznesmenin Ron Yeffet dhe Arjeta Pucën ka krijuar disa kompani të përbashkëta për prodhim makinash, municioni e armësh në funksion të ushtrisë shqiptare.
Edhe kompania TIMAK është pjesë e hetimit intensiv që po kryen SPAK. Në audiopërgjimet e publikuara nga Ahmetaj, ai pretendon se në qendër të bisedave është biznesmeni izraelito-amerikan Ron Yeffet dhe dy persona të identifikuar vetëm si Igor dhe Sergei. Sipas ish-zv. kryeministrit, bisedat lidhen me një skemë të dyshuar për trafik armësh dhe municionesh përmes Shqipërisë, ku përmenden edhe KAYO dhe TIMAK.
Komunikimi i bërë publik nga ish zëvendësministri prek disa tema, që nga krijimi i një kompanie të përbashkët me aksioner 20 përqind shtetin, për një projekt energjetik në Delvinë, te një skemë e ngjashme për gazin në Vlorë, ku partnerët ukrainas do të duhet të krijojnë një kompani mbulesë në Shtetet e Bashkuara, deri te biseda që lënë të kuptosh për një trafik të mundshëm armësh e municionesh të prodhuara në Afrikë e që sipas një fraze në audio-përgjim, paketimi do të bëhej në Shqipëri.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë







Komente
Komento