Maratona e diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027, ka hyrë n fazën më intensive. Në 7 komisione parlamentare është bërë sot prezantimi i zërave të ndryshëm të buxhetit dhe paketës fiskale, si dhe është miratuar në parim në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Burimeve Natyrore.
Për vitin 2027 buxheti planifikohet në vlerën e 976 miliardë lekë, ose rreth 10.7 miliardë euro me kursin e sotëm. Janë afro 279.7 miliardë lekë që do të shkojnë për mbrojtjen sociale, për të mbështetur, shtresat në nevojë, pensionistët, gratë papuna me tre fëmijë apo edhe për strehimin social.
Pjesë e projektbuxhetit është afrimi i indeksimit të pensioneve në prill, dyfishimi i bonuseve mujore në bazë të vlerës së pensionit që përfitojnë qytetarët, si dhe rishikohet skema e bonusit të bebes, nga çeku në pagesa mujore deri në 5 vjeç.
Në 2027-ën, pritet të shpenzohen 2 miliardë euro për investimet publike, me fokus tek avancimi i projekteve rrugore Elbasan-Lekaj, Elbasan Qafë Thanë, zgjerimi Tiranë-Durrës, Tiranë-Ndroq-Plepa dhe bypass-i i Tiranës. Gjithashtu prioritet është financimi i Portit të ri tregtar në Porto Romano.
Vetëm me votat e mazhorancës është miratuar në komisionin e Ligjeve në parim projektbuxheti i vitit 2027 dhe Paketa Fiskale.
Deputeti demokrat Kliti Hoti, i cili ishte edhe përfaqësuesi i vetëm në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, është përfshirë në debat me kryetaren Anila Denaj dhe është larguar nga salla.
Debati mes tyre nisi pasi Hoti, me të marrë fjalën, nisi të fliste për protestën, duke ngritur pretendime për dhunë nga Policia mbi protestuesit. Nga ana tjetër, Denaj i ka kërkuar që të fliste për Buxhetin 2027 dhe për rininë, pra të fokusohej te çështja e ditës.
Pas disa minutash debat, Hoti është larguar nga Komisioni, duke lënë opozitën pa asnjë përfaqësues aty.
Hoti: Me rregull treshi, buxheti i vitit 2027 në krahasim me atë të vitit 2026, me rregull treshi është rritur ¾ e 1%. Ideja është që njerëzit po rrihen për çdo ditë. Ne diskutojmë këtu për staruppet, inovacionin dhe të ardhmen. Ne e dimë shumë mirë kush i ka marrë startuppet. Kjo rini ka përfunduar në rrugë sepse nuk sheh të ardhmen, nuk sheh një vizion. Fjala meritokraci është përdhunuar dhe nuk mund të përdoret më si fjalë. Legjitimiteti i Parlamentit na ka sjellë në këtë pikë. Unë kam shkuar edhe te paraburgimi, janë njerëz që...
Denaj: I nderuar ishim te buxheti. Kur të shkojmë te ajo çështje, do thërrasim ministrin përgjegjës për rendin dhe e trajtojmë këtë çështje.
Hoti: Fakti që ata dalin përditë atje dhe rrihen në mënyrë joproporcionale nga Policia... Nëse do të ishit ju.
Denaj: Zoti Hoti a ka mundësi të fokusoheni, apo jeni i papërgatitur për këtë çështje sot.
Hoti: Nuk është kjo mënyra... ta garantoj se kjo lloj mënyre na ka çuar deri këtu.
Debaj: Ju vini këtu dhe flisni për protestën. Duhet të bëni propozime për rininë.
Në përfundim, me votat e mazhorancës u miratua projektligji “për buxhetin e vitit 2027” për fushat e përgjegjësisë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.
Ministri Ferit Hoxha prezantoi në Komisionin Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme, projekt buxhetin 2027, që sipas tij është një investim në kapacitetin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe në përgatitjen e saj si vend i ardhshëm anëtar i Bashkimit Europian.
“Viti 2027 ka për ne një peshë të veçantë. Shqipëria synon përmbylljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo kërkon që ambicies politike t'i përgjigjen kapacitetet e shtetit dhe që diplomacia shqiptare, MEPJ, shërbimi i jashtëm të jetë i përgatitur për fazën e re në të cilën po hyn vendi. Pra, nuk po propozojmë thjesht një buxhet për funksionimin e Ministrisë. Po propozojmë një investim në kapacitetin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe në përgatitjen e saj si vend i ardhshëm anëtar i Bashkimit Europian”, deklaroi Hoxha para deputetëve të Kuvenditt ë Shqipërisë.
Hoxha prezantoi në Komision prioritetet e Ministrisë së Jashtme për vitin 2027, të cilat sipas tij janë: Integrimi europian dhe përmbyllja e negociatave të anëtarësimit në BE; Siguria euroatlantike dhe roli i Shqipërisë në NATO; Shqiptarët në rajon dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor; Partneritetet strategjike dhe marrëdhëniet dypalëshe; Diplomacia shumëpalëshe dhe profili ndërkombëtar i Shqipërisë; Diplomacia ekonomike; Diaspora dhe ruajtja e identitetit kombëtar; Shërbimet konsullore dhe prania diplomatike virtuale; Fuqizimi institucional i Shërbimit të Jashtëm;
Projektbuxheti i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për vitin 2027 arrin shifrën rekord prej 3.9 miliardë lekësh, ose rreth 40 milionë euro.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar sot në Komisionin e Ligjeve projektbuxhetin për vitin 2027, i cili për herë të parë do të jetë përafërsisht 10 miliardë euro.
Gjatë fjalës së tij, Malaj tha se tre prioritetet kryesore të buxhetit 2027 janë mirëqenia sociale dhe mbështetja për qytetarët, stabiliteti fiskal dhe financa publike të qëndrueshme, si dhe investimet, reformat dhe integrimi i vendit në BE.
“Projektligji i buxhetit 2027 është ndërtuar mbi objektivat dhe angazhimet e programit buxhetor afatmesëm 2027-2029, duke përcaktuar kështu drejtimet kryesore të politikës tonë buxhetore për vitin e ardhshëm. Për herë të parë shpenzimet publike të planifikuara tejkalojnë 10 miliardë euro. Kjo shifër historike për nga përmasat e buxhetit, është edhe një përgjegjësi më e madhe për përdorimin me efikasitet të këtyre burimeve, në funksion të interesit të gjerë publik. Projektbuxheti 2027 është hartuar për të mbështetur prioritetet strategjike të vendit dhe vijimin e investimeve për zhvillimin ekonomik të vendit. Prioriteti i parë është mirëqenia sociale dhe mbështetja për qytetarët tanë. Prioriteti i dytë është stabiliteti fiskal dhe financa publike të qëndrueshme. Prioriteti i tretë janë investimet, reformat dhe integrimi i vendit tonë në BE”, tha mes të tjerash Malaj.
Më tej Malaj theksoi se një nga prioritetet kryesore të buxhetit 2027 është mbështetja për moshën e tretë, përmes indeksimit të pensioneve dhe 2-fishimit të bonusit për pensionistët.
“Një nga prioritetet tona kryesore mbetet vijimi i mbështetjes për moshën e tretë. Pensionet zënë një vend të veçantë në buxhetin 2027. Synohet rritja e të ardhurave të pensionistëve. Konkretisht me buxhetin e vitit 2027 ne parashikojmë afrimin e indeksimit të pensioneve në muajin prill 2027, nga korriku që e kemi aktualisht, me një fond shtesë të parashikuar në buxhet prej 1.35 miliardë lekësh. Parashikohet edhe dyfishimi i vlerës së bonusit mujor për pensionistët, duke nisur nga janari 2027, me një kosto totale prej 20 miliardë lekësh në vit. Pra vetëm këto 2 politika për pensionistët, indeksimi dhe dyfishimi i bonusit, kanë një kosto totale për buxhetin e shtetit prej 24 miliardë lekë, ose 250 milionë euro”, shtoi Malaj.
Malaj theksoi se do të ketë 2-fishim të pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe njohje të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për kujdestarët e tyre.
Mbështetja për fëmijët e porsalindur do të vijojë sipas ministrit Malaj deri në moshën 5-vjeçare.
“Do dyfishohen pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara, një politikë që e nisëm në korrik të këtij viti, si dhe njohja e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre. Do vijohet me politikën e bonusit të bebeve, por këtë herë përmes mbështetjes mujore deri në moshën 5 vjeç”, vijoi më tej Malaj.
Për strehimin social, sipas ministrit Malaj do të jenë në dispozicion nga buxheti 2027 1.3 milardë euro. Ai tha se edhe Arsimi dhe Shëndetësia do të jenë prioritet në buxhetin e vitit 2027, në mënyrë që shërbimet për nxënësit e shkollave dhe pacientët e spitaleve të jenë sa më bashkëkohore. Rritje sipas Malajt do të ketë edhe në financimin nga buxheti për Drejtësinë.
“Do të jenë në dispozicion rreth 1.3 miliardë lekë në vit për strehimin social dhe strehimin e përballueshëm. Do të vijojmë edhe me kompensimin nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në 48 mijë lekë për familjet që kanë fëmijë deri në moshën 18 vjeç. Për vitin 2027 financimi për mbrojtjen sociale arrin në 279.7 miliardë lekë, ose rreth 30% e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Arsimi mbetet një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e vendit tonë. Buxheti 2027 parashikon që shpenzimet për arsimin të arrijnë në 93.7 miliardë lekë, me një rritje prej 3.8 miliardë lekësh, krahasuar me nivelin e mëparshëm të financimit. Edhe Shëndetësia mbetet një tjetër prioritet i rëndësishëm i investimit publik. Për vitin 2027 shpenzimet për sektorin parashikohen në 87.2 miliardë lekë, me një rritje prej 6 miliardë lekësh. Buxheti i vitit 2027 parashikon rreth 27.1 miliardë lekë për Drejtësinë, pra 280 milionë euro afërsisht, ose rreth 14.4 miliardë lekë më shumë sesa drejtësia kishte në vitin 2016”, tha më tej Malaj.
Malaj tha se rritje të financimit nga buxheti i shtetit 2027 do të ketë edhe për bujqësinë dhe mbrojtjen, me qëllim arritjen e standardeve europiane.
“Buxheti për bujqësinë parashikohet në masën e 17.9 miliardë lekëve, me një rritje prej 1.1 miliardë lekësh financim shtesë nga buxheti i shtetit. Për mbrojtjen do të financojmë modernizimin e forcave të armatosura. Për vitin 2027 parashikohet një buxhet për mbrojtjen në masën 76.7 miliardë lekë, me një rritje në financim prej 7 miliardë lekësh”, përfundoi Malaj.

Kryesia e Grupit Parlamentar të PD është mbledhur mëngjesin e sotëm për të diskutuar qëndrimin që do të mbajë në komisione me nisjen e diskutimit për buxhetin e 2027. PD ka vendosur të marrë pjesë në Komisionin e Ekonomisë me të gjithë anëtarët e saj ndërsa në komisionet e tjera, do të dërgohet vetëm një përfaqësues, siç kanë ndodhur gjatë javës së shkuar ku temë do të jetë "Protesta, nën këndvështrimin e buxhetit", tha një burim për Report Tv.
Në komisionet parlamentare ka nisur shqyrtimi i projektbuxhetit të vitit 2027, i cili do të jetë në vlerën e 976 miliardë lekëve, ose rreth 10.7 miliardë euro. Opozita mungoi në Komisionin e Burimeve Natyrore, ku zëvendësministri i Financave, Andi Mehmeti prezantoi fondet e parashikuara për bujqësinë, infrastrukturën dhe mbrojtjen, si dhe ndryshimet në skemën e bonusit të bebeve.
Për bujqësinë janë parashikuar 17.9 miliardë lekë, ose 1.1 miliardë lekë më shumë se buxheti i këtij viti. Nga këto, 5.3 miliardë lekë do të shkojnë për mbështetjen e fermerëve, ndërsa 3 miliardë lekë për kompensimin e TVSH-së në masën 10%. Sipas Mehmetit, synimi është që nga këto fonde të përfitojnë më shumë fermerë.
“Buxheti për bujqësinë parashikohet të arrijë në 17.9 miliardë lekë, me rritje prej 1.1 miliardë lekësh krahasuar me buxhetin fillestar të këtij viti. Përmes politikave që do të zbatojmë, synojmë rritje të numrit të përfituesve”, tha Mehmeti.
Për infrastrukturën janë parashikuar 75.4 miliardë lekë. Paratë do të përdoren për investime në ujësjellës, portin e ri në Porto Romano dhe Triportin, si dhe për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës dhe rehabilitimin e rrugës Tiranë-Ndroq-Plepa.
“Infrastruktura do të marrë 75.4 miliardë lekë. Investime në ujësjellës, portin e ri të Durrësit, portin e Triportit, zgjerimin e Tiranë-Durrës dhe rehabilitimin e Tiranë-Ndroq-Plepa”, theksoi ai.
Rritje fondesh parashikohet edhe për mbrojtjen. Ministria e Mbrojtjes do të ketë në dispozicion 76.7 miliardë lekë, të cilat do të përdoren edhe për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe forcimin e aftësive mbrojtëse të vendit, në kuadër të angazhimeve në NATO.
“Për mbrojtjen vijojmë modernizimin e Forcave të Armatosura. 76.7 miliardë lekë për Ministrinë e Mbrojtjes. Synohet forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të vendit në kuadër edhe të Aleancës”, vijoi zv.ministri.
Një tjetër ndryshim që parashikon projektbuxheti është bonusi i bebeve. Nga 1 korriku 2027, familjet do të mbështeten me pagesa mujore deri kur fëmija të mbushë 5 vjeç.






Komente
Komento