Preç Zogaj: Zgjedhjet, nga do t’ia mbajë Kosova

Preç Zogaj: Zgjedhjet, nga do t’ia mbajë Kosova

Foto ilustruese

Qytetarët e Kosovës do të shkojnë ketë të diel në kutitë e votimit për të bërë si asnjëherë tjetër më parë një zgjedhje pa lojëra fjalësh: Me SHBA apo kundër saj?

Për ta ekspozuar me një qartësi brutale ketë zgjedhje u ngjit në skenë me megafon në dorë, në kuptimin metaforik të fjalës, i ngarkuari me Misione të Posaçme i Presidentit Trump, Riçard Grenell. Ai tha se Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme as gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Bidenit, as për BE-në dhe NATO-n. Ai u kthye më pas në kohë duke shtuar se Kurti ka qenë kundër çdo ideje amerikane të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. “Mos u mashtroni!”- ishte apeli përmbyllës i tij drejtuar qytetarëve të Kosovës.

Por nuk mbaroi këtu.

Në përgjigje të reagimit të Kurtit se marrëdhëniet Kosovë-SHBA janë më të mira se kurrë, Grenell e shtoi dozën duke shkruar se Albin Kurti është dënuar nga administrata e parë Trump, administrata Biden, NATO, BE-ja, Ambasada amerikane, Anthony Blinken, etj.”

Nga pikëpamja e përmbajtjes, tonit dhe momentit kur u lëshuan, deklaratat e zotit Grenell kontrastojnë formalisht me zakonet e mosndërhyrjes së një vendi në fushatën elektorale të një vendi tjetër. Por duhet ta themi se kjo është shumë relative kur flitet për përgjegjësinë e shtetit amerikan, i cili ka autorësinë numër një të çlirimit të Kosovës nga sundimi i gjatë serb, të pavarësisë dhe shtet-bërjes së Kosovës përmes shumë stërkëmbëshash, të garantimit sot e gjithë ditën të sigurisë dhe integritetit territorial të Kosovës. Indiferenca apo asnjanësia e SHBA-së në këto kushte do të ishte njëlloj si ta linte Kosovën në gojën e ujqërve, viktimë të skenarëve ruso-serbe që ëndërrojnë të kthejnë prapa ku ka qenë fatin e saj. Ndaj është fat për ne që SHBA mbeten kaq aktivë në Kosovë, në Shqipëri dhe rajon.

Deklaratat e Grenell janë invandente, të drejtpërdrejta, pa precedent në qartësinë dhe ashpërsinë e tyre. Ato kontrastojnë me gjuhën e përdorur më parë nga zyrtarët e administratës Biden, të BE-së, të NATO-s, Francës, Gjermanisë, pra gjithë këtyre subjekteve që kanë patur në shumë raste të njëjtat qasje ndaj Kurtit dhe qeverisë së tij. Në fakt, kush i ka ndjekur zhvillimet amerikane nga një administratë në tjetrën duhet të kujtohet se kjo është në përgjithësi gjuha e republikaneve kur duan ta ndajnë shapin nga sheqeri. Pa kllapa. Dhe veprimet e tyre kështu janë.

Agora shqiptare ka zier këto ditë. Ka patur prej atyre që duke dashur t’i shvlerësojnë anatemat e Grenell janë marrë me jetën e tij private, kanë bërë lidhje të shkurtra me aktivitetin e një diplomati që mban marrëdhënie me gjithë aktorët e një rajoni me konflikte për t’u menaxhuar, kanë thirrur në ndihmë teori konspirative kundër tij.

Opinionet janë opinione. Por një gjë është fakt: Grenell ka folur në veshjen e përfaqësuesit zyrtar të Presidentit Trump për misione të veçanta.

Fjala e tij ka peshë. Reperkursionet e qëndrimeve të tij ndikojnë formimin e qëndrimeve të administratës së re të Trump për Kosovën, rajonin dhe më gjerë. Siç e themi ne shqiptarët, Grenell, duke hedhur në lojë autoritetin e SHBA së dhe të vetin, i ka dalë borxhit në kohën e duhur opinionit publik në Kosovë. Nesër nuk mund të thotë njëri se nuk e dinim.

Në personin e Kurtit, Grenell ka goditur pa dredha një hipokrizi tipike të politikanëve dhe shtetarëve shqiptarë të vetëquajtur sovranistë. Këta e kanë zakon t’u trumbetojnë ndjekësve se kanë marrëdhënie shumë të mira me SHBA. Edhe kur e sfidojnë. Edhe kur SHBA arrin në një pikë sa t’u përplasë derën. Duke spekuluar me injorancën e tyre, ata referojnë një SHBA abstrakte, nganjëherë referojnë dy e tri SHBA. Në të vërtetë, sa i takon marrëdhënieve në nivel politik mes qeverive dhe institucioneve, ka vetëm një SHBA: qeveria, shteti, institucionet. Për të qenë partner i besueshëm dhe mik i SHBA nuk mjafton ta thuash ti. Duhet ta thonë edhe ata, duhet të të njohin edhe ata ty si mikun e tyre.

Pakënaqësitë ndaj qeverisë së Kosovës janë pika e vetme ku qeveria e Trump takohet me ish qeverinë e Biden, me BE-në dhe NATO-n. A mund të ndodhë të gabojnë gjithë këta vende dhe institucione me kaq shumë peshë? Për asnjë arsye jo. Ka një gjë të madhe që nuk shkon në marrëdhëniet e Prishtinës zyrtare me vendet aleate e mike të Perëndimit.

Por demokracia, për sa të ekzistojë, i prodhon gjithnjë mjetet e vetëmbrojtjes nga rreziqet e izolimit apo largimit nga kursi. Kështu edhe në Kosovë ku ka një opozitë plurale të fuqishme, si LDK, PD, AAK e tjerë, subjekte të cilat kanë shkruar historinë e Kosovës së pavarur e demokratike në marrëdhënie të ngushta me SHBA dhe BE-në. Dy prej tyre kanë kaluar ndërkaq në një proces reformimi e rinovimi të lidershipit.

Përtej përkatësive dhe simpative partiake, fati Kosovës dhe Shqipërisë janë marrëdhëniet e ngushta me SHBA dhe BE. Sovraniteti dhe vetëvendosja e Kosovës, sikurse e Shqipërisë, janë euroatlantike në përcaktim, një koncept krejt i kundërt me sovranizmin enverist të izolimit dhe armiqësisë me botën e lirë. Kosova humb gjithçka po humbi SHBA, perëndimin. Zaret janë hedhur. Vjen momenti kur demokracia kthehet ku i ka rrënjët. Përgjegjësia e zgjedhjes, me SHBA apo kundër saj, bëhet sfidë e popullit.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 21 Mars, 10:09

    Sa e dëshironi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi thotë se nuk u ftua në nismën për bashkëpunim ushtarak të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë

Mali i Zi thotë se nuk u ftua në nismën për bashkëpunim ushtarak të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë