12 shtator 2023 në Bukuresht - 11 tetor 2024 në Pragë. Situatat janë të ngjashme, racizëm dhe përdhosje e simboleve kombëtare shqiptare. Në harkun e disa muajve reagimet kanë qenë të ndryshme.

Mbrëmjen e 12 shtatorit 2023 në Bukuresht, Kosova humbi 2-0 kundër Rumanisë për Grupin I kualifikues për Euro 2024. Në atë takim, pas vetëm 18 minutave lojë tifozët rumunë shpalosën banderola raciste dhe fyese për shqiptarët, teksa lojtarët e Kosovës ndalën ndeshjen dhe nuk pranuan të futeshin në fushë pa u larguar simbolet fyese. "Kosova është Serbi" apo edhe mesazhe të tjera fyese bënë që ndeshja të ndërpritej për 52 minuta dhe UEFA të merrte masa, për të rifilluar duelin. Pas disa javësh gjobë e majme për Rumaninë dhe "tërheqje veshi" për ndeshje pa tifozë.

Ndërkohë mbrëmjen e 11 tetorit 2024 (dje) në Pragë u shfaqën banderola raciste dhe fyese për shqiptarët. Në humbjen 2-0 të Shqipërisë kundër Çekisë, tifozët vendas kishin shpalosur hartën e Kosovës me flamurin serb, si edhe flamujt kuqezi me kokën poshtë dhe me shenjën "X" në mes.

Për këtë situatë raciste asnjë reagim nga zyrtarët e FSHF-së gjatë ndeshjes, që më e pakta sinjalizuan arbitrin, kjo edhe sipas deklaratës së Mirlind Dakut në fundin e ndeshjes. Nëse FSHF reagoi pas sfidës së do bëjë ankesë në UEFA, drejtuesit e Fedeartës Shqiptare të Futbollit mund të kishin marrë shembullin e Kosovës 13 muaj më parë, kur ndalën lojën për mos lejuar fyerjen dhe përdhosjen e simboleve kombëtare.

Për t'u evidentuar edhe fakti se Armand Duka është zv.president i UEFA-s dhe është i mirëinformuar që ndeshjet nuk mund të luhen kur shfaqen banderola politike apo raciste.