TEPELENE - Loja e disa fëmijëve me një predhë e paplasur mund të ishte kthyer në një tragjedi, por është parandaluar në kohë nga policia.

Ngjarja është shënuar në mesditë në fshatin Dukaj të rrethit Tepelenë , ku disa fëmijë që po kullosnin bagëtitë në një fushë pranë fshatit kanë gjetur në një ferrë një predhë topi 107 pa zbrapsje dhe e kanë kthyer në objekt loje me njëri-tjetrin. Predha paraqiste një rrezikshmëri shumë të lartë për të shpërthyer me rreze shpërthimi 200 metra katrore.

Fatmirësisht, prezenca në vendngjarje e një inspektori të Policisë së Rendit të zonës ka mundur të parandalojë një tragjedi pasi fëmijët po përpiqeshin t’i hiqnin djegoren predhës.

Inspektori i Policisë i ka parë fëmijët duke luajtur me predhën teksa kthehej nga shkolla 9-vjeçare e fshatit Dukaj, pasi me urdhër të Drejtorit të Policisë së Qarkut Gjirokastër, çdo ditë punonjësit e policisë patrullojnë në afërsi të shkollave dhe mbajnë në vëzhgim të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë qarkun Gjirokastër në bashki e komuna.

Në vendngjarje kanë shkuar Specialistët e Armatimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër të cilët kanë bërë transportimin e predhës në magazinën e armatimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ku më pas do të vijnë specialistët e Ushtrisë për ta marrë.

PREDHA
(Foto, predha që gjetën fëmijët)

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)