Më 13 korrik 2024, ditën e atentatit të dështuar ndaj Donald Trump në Pensilvani, reverendi Dwight Lee Wolter, i Kishës Kongregacionaliste në Patchogue, Long Island, i kërkoi ChatGPT-së ta ndihmonte se çfarë duhej t'u thoshte besimtarëve të tij të nesërmen në mëngjes, në një moment kaq dramatik dhe emocional për të gjithë kombin amerikan. Inteligjenca artificiale prodhoi një predikim të përsosur, elokuent dhe plot emocion. Jo vetëm kaq: pastori i kërkoi gjithashtu një thirrje për lutje, tekstet që do të recitoheshin dhe madje himne të reja, të shoqëruara me muzikë origjinale të gjeneruar nga AI.

Reverendi Wolter pëlqen të mendojë se nuk ka hequr dorë plotësisht nga detyra e tij. Megjithatë, ai nuk e ka aspak të vështirë të thotë se herët a vonë "inteligjenca artificiale do të na paraqesë një Zot më fleksibël, më tërheqës dhe, mbi të gjitha, të disponueshëm 24 orë në ditë".

Sipas Wall Street Journal, që citon një studim të institutit Barna Group, i cili analizon dinamikat e besimit në SHBA, gjysma e pastorëve të krishterë amerikanë pranojnë se përdorin inteligjencën artificiale si mbështetje për të gjetur ide të reja. Ndërsa rreth 25% pranojnë se e përdorin drejtpërdrejt për të shkruar homelitë dhe predikimet. Në vitin 2024, kjo shifër ishte vetëm 12%.

Edhe këto të dhëna kanë nxitur shqetësimet e shprehura nga Papa Leoni në enciklikën e tij të fundit mbi inteligjencën artificiale dhe përdorimin e saj të pakontrolluar. Detyra e klerit, thekson Papa, është të ndajë besimin me njerëzit, dhe këtë nuk mund ta bëjë ChatGPT.

Në Kaliforni, një pastor me prirje për teknologjinë nga Oklahoma City, Justin Lester, ka krijuar madje një model të personalizuar gjuhësor të quajtur Pastor GPT, i trajnuar mbi predikimet dhe reflektimet e një pastori të caktuar. Sistemi përditësohet automatikisht çdo javë duke shkarkuar predikimet e reja të publikuara në YouTube dhe deri tani është përdorur nga më shumë se 30 kisha protestante.

Për më tepër, Pastor GPT identifikon në mënyrë anonime edhe temat më të diskutuara mes besimtarëve. Pak kohë më parë, Lester vuri re se të rinjtë flisnin shpesh për bullizmin dhe vendosi të përfshinte në model një seri reflektimesh mbi këtë temë.

Megjithatë, jo gjithmonë gjithçka funksionon siç duhet. Së fundmi, një tekst i gjeneruar nga inteligjenca artificiale nuk përputhej me slajdet, të cilat ishin krijuar po nga Pastor GPT. I vënë në siklet, Lester u detyrua t'u kërkonte falje besimtarëve.

Sipas Meghan Sullivan, profesoreshë e filozofisë në Universitetin Notre Dame, e cila po drejton një projekt mbi marrëdhënien mes fesë dhe inteligjencës artificiale, përdorimi i AI për të shkruar një predikim tregon se nuk kuptohet se çfarë ndodh për një të krishterë kur një predikues flet.

"Kishat janë ndër institucionet e fundit ku njerëzve u kërkohet të ulen në heshtje për të takuar një qenie tjetër njerëzore, pa ndërmjetësime. Luteri me siguri do të rrotullohej në varr," thotë Sullivan.

Ajo i përkufizon ata që përdorin inteligjencën artificiale për këtë qëllim si "ndërmjetës të një softueri teologjik"./ Corriere della Sera