VLORË - Infrastruktura e qytetit të Vlorës paraqitet tepër e amortizuar. Kështu është shprehur prefekti i Vlorës në një intervistë për “A1 Report!” lidhur me infrastrukturën rrugore të këtij qyteti në prag të çeljes së sezonit turistik.

Prefekti Velçani bën një analizë të të gjithë segmenteve rrugore në qytet dhe sipas tij, më problematik paraqitet bulevardi Vlorë - Skelë, segment që u rikonstruktua vetëm pak muaj më parë, në nëntor me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.

Sipas tij, e njejta gjë paraqitet dhe në sheshin simbol të qytetit, Sheshin e Flamurit, ku dhe këtu infrastruktura paraqitet e mjerueshme. Shkaktare për gjithë këtë infrastrukturë të mjerueshme në qytet, prefekti Velçani bën firmat ndërtuese, që nuk kanë punuar me cilësinë e duhur gjatë punimeve.

Prefekti shprehet se infrastruktura rrugore në qytet është përgjegjësi e bashkisë dhe si e tillë ai nuk ka asnjë kompetencë për të ndërhyrë përveç faktit që të miratojë dhe shqyrtojë buxhetet e bashkive përkatëse.

Përsa i përket investimeve, ai shprehet se ato nuk kanë munguar, si nga ana e qeverisë, por dhe e bashkisë, por këto investime kanë qënë të padobishme sepse në këto rrugë është punuar pa përgjegjshmëri. Gjithashtu, prefekti shprehet se bashkia duhet të ndërhyjë së shpejti për rikonstruktionin e tyre para se sezoni turistik të çelet dhe Vlora të mirëpresë pushues dhe turistë ashtu si i ka hije,me një infrastrukturë të pasur.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptare)