Prefektura e Vlorës ka kthyer për rishikim buxhetin e Bashkisë Vlorë për vitin 2027. Shkak për këtë vendim është bërë koha kur është miratuar buxheti vendor, përpara miratimit të buxhetit të shtetit.
Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi, sqaron se kthimi për rishikim nuk lidhet me shumën e parashikuar në buxhet, por me faktin se ai është miratuar përpara se të miratohej buxheti i shtetit për vitin 2027.
Në shkresën e saj, Prefektja Allushi argumenton se gjatë miratimit të këtij akti nuk janë respektuar dispozitat e nenit 32 të ligjit nr. 9936, datë 26.06.2008, “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe nenit 41 të ligjit nr. 68/2017, “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore”.
Sipas Prefektit, miratimi i buxhetit vjetor nga njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të realizohet pas miratimit të ligjit të buxhetit vjetor nga Kuvendi, ku përcaktohen të ardhurat dhe transfertat e pakushtëzuara për pushtetin vendor.
“Nga sa thamë më lart, në zbatim të nenit 16, pika i, i ligjit nr. 107/2016 ‘Për Prefektin e Qarkut’, si dhe nenit 109, pika d, të ligjit 44/2015 ‘Kodi i Procedurave Administrative’, Prefekti i Qarkut Vlorë shprehet se akti i Këshillit Bashkiak Vlorë nr. 103, datë 16.11.2026, nuk është i mbështetur në ligj dhe duhet të kthehet për rishqyrtim”, thuhet në shkresën e firmosur nga prefekti Evis Allushi.
Tashmë Bashkisë së Vlorës i duhet të rishikojë buxhetin dhe ta rikthejë atë për procedurat e mëtejshme të miratimit.








Komente
Komento