TIRANË- Ish-kryeministri Fatos Nano prej 20 ditësh ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Lideri historik i PS-së vazhdon të trajtohet në një spital privat në Tiranë dhe burime bëjnë me tij se gjendja tij mbetet e pandryshuar. Nano ndodhet ende në reanimacion.

Fatos Nano, 73 vjeç është themeluesi dhe kreu i parë i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ai ishte njeriu që bëri të mundur transformimin e ish Partisë së punës që vinte nga trashëgimia komuniste, në një forcë që i rezistoi pluralizmit politik, si një aktore me peshë në skenën shqiptare.

Nano ka qenë kryetar i Partisë Socialiste nga 12 qershori i vitit 1991 e deri në vitin 2005, kohë kur u shkëput nga politika. Një përpjekje e tij e mëvonshme për postin e kreut të shtetit, nuk u mbështet nga Partia socialiste, drejtimin e së cilës e kishte marrë Edi Rama. Gjatë viteve të angazhimit në politikë, që nga viti 1991, ai shërbeu 4 herë si kryeministër i vendit.