Premçi tregon sulmin:
Neli më goditi në befasi

Pasditen e së premtes ish kryepolici i Dibrës Shemsi Prençi dhe përmbaruesi privat Baftjar Neli kanë depozituar secili nga një padi për ushtrim dhune ndaj njëri tjetrit. Paditë janë depozituar pasi mes tyre ishte konsumuar një sherr pranë godinës së Spitalit Ushtarak. Në një intervistë për Shqiptarja.com, Shemsi Premçi ka treguar versionin e tij për mënyrën se si është zhvilluar konflikti dhe është shprehur se gjithçka ka qenë një sulm dhe kurth i bërë ndaj tij nga përmbaruesi Neli me mbështetjen e zyrtarëve të policisë.

Zoti Premçi çfarë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes mes jush dhe zotit Neli?
Ka ndodhur që më kanë goditur tre persona dhe njëri prej tyre është Baftjar Neli, një përmbarues i cili ka interesa në biznesin e Kromit.

Në ç'rrethana ka ndodhur ngjarja?
Kam qenë sëbashku me dy familjarë të mi i ulur në lokal në një kafe përballë Spitalit Ushtarak. Pozicioni im në tavolinë ishte i tillë që kisha një fushëpamje të kufizuar dhe të tre këta persona më kanë ardhur nga pas dhe më kanë goditur pa paralajmërim. Pasi kam ndjerë goditjen kam reaguar dhe unë por sidoqoftë ata kanë qenë tre persona dhe unë vetëm një.

Përveç zotit Neli kush ishin dy personat e tjerë?
Njof vetëm zotin Neli dy personat e tjerë nuk I njihja por dukej qartë se të tre kishin ardhur me të njëjtin mission. Pas sherrit kam shkuar në spital pasi kam marrë disa plagë dhe jam kuruar për disa minuta në spital.

Nga ana tjetër zoti Neli ka bërë i pari dje një denoncim ndaj jush në polici, si shpjegohet?
Ka qenë çdo gjë e programuar dhe e llogaritur. Jo vetëm në lidhje me policinë por edhe në lidhje me lajmërimin e kësaj ngjarjeje në media. Përpara se të shkojë në polici zoti Neli ka njoftuar njëherë media të përfshira në biznesin e kromit për të nxjerrë lajmin se unë gjasme e kisha goditur atë. Fill më pas ai ka shkuar dhe ka paraqitur në polici versionin e tij të rremë të ngjarjes.

Po ju a e paraqitët versionin tuaj në polici?
E paraqita por nuk ka kurrëfarë vlere pasi prej muajsh kam kundër të gjitha strukturat më të larta të policisë pasi janë të gjithë të implikuar në mbrojtjen e mafies së kromit. Fitimi i betejës në Prokurorinë e Përgjithshme nga ana ime në lidhje me sekuestron e kamionëve të kromit në muajin Prill duket se i ka nxjerrë kundrapedal të gjitha strukturat e implikuara me kontrabandën e kromit dhe i ka bërë edhe më agresive. Së fundmi Prokuroria e Përgjithshme ka dhënë dritën jeshile për hetimin e të gjitha kompanive të përfshira në kontrabandën e kromit dhe të lidhura me kamionët e sekuestruar prej meje në muajin prill. Me këto kompani ka lidhje edhe zoti Neli, i cili edhe më parë në Dibër është konfrontuar me mua pasi ishte tërësisht në dispozicion të mafies së kromit.

Si person që keni denoncuar një skemë kontrabandimi a ju është ofruar mbrojtje nga strukturat shtetërore?
As nuk diskutohet fare mbrojtja. Mbrojtje nga kush? Nga policia? Po çfarë thoni, ata janë tërësisht të implikuar me mafien e kromit. Jo më kot kam denoncuar Drejtorin e Përgjithshëm të policisë, Zv. Drejtorin Kuliçaj, kreun e SHKB-së madje dhe ministrin pasi as ai nuk ka reaguar për denoncimet e mia. Madje edhe Baftjar Neli, përmbaruesi që më ka goditur është bërë më trim tani pasi ministër I brendshëm është bërë një bashkëfshatar dhe njeri i besuar i tij dhe mesa duket kanë marrë revansh. Unë dua ti siguroj të gjithë se nuk dorëzohem dhe se do të luftoj për të vërtetën deri në fund.

Aktualisht Prokuroria e përgjithshme ka rrëzuar të gjitha aktet e policisë dhe prokurorisë së Dibrës ndaj jush dhe ka rifilluar nisjen e hetimeve, cila është pritshmëria juaj?
Unë do të shpresoj deri në fund. I gjithë zinxhiri drejtues i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit është i kapur nga mafia e kromit. Po kështu është e kapur dhe prokuroria e Dibrës. Por Prokuroria e Përgjithshme i zeroi të gjitha veprimet e tyre kundër meje pasi bëra sekuestron. Sekuestroja ime jo vetëm që u konsiderua e ligjshme por tashmë ka nisur dhe rihetimi i kompanive që kishin kromin e sekuestruar. Dua tiu kujtoj se pak ditë më parë ka vdekur një tjetër minator në Bulqizë. E përsëris nuk janë vdekje të rastësishme. Makutëria dhe babëzia e kompanive të lidhura me zyrtarë shtetërorë po çojnë njerëz drejt vdekjes pasi aty punohet jashtë çdo lloj norme dhe standardi, madje nuk punohet por vidhet pasi punojnë dhe subjekte që nuk kanë as leje për të operuar dhe çdo gjë është jashtë kontrollit.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje për ne! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje për ne! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve