LONDËR, Angli - Bournemouth bëri surprizën këtë të shtunë në Premier League, duke mposhur 1-2 Arsenalin brenda në 'Emirates' për raundin e 32-të të kampionatit. Skuadra e Andoni Iraolës 'ia ka marrë dorën' ekipit të Artetës, pasi edhe sezonin e kaluar i mposhtte 'Topçinjtë' në shtëpinë e këtyre te fundit. Arsenali me 70 pikë mban kreun e renditjes, por Manchester City është nëntë pikë pas me dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Javën që vjen luhet ndeshja direkte mes Man. Cityt dhe Arsenalit në 'Etihad', 90 minuta që do vendosin ekipin pretendent për titullin kampion të këtij sezoni në Premier League.
NDESHJA - Bournemouth e nisi më mirë ndeshjen duke qenë i barabartë në fushë kundër ekipit kryesues. Në minutën e 17-të Eli Junior Kroupi kaloi në epërsi miqtë duke sjellë heshtjen në 'Emirates'. Në minutën e 35-të 'Topçinjtë' fituan një penallti pas një prekje të topit me dorë në zonë dhe nga 11 metërshi Viktor Gyokeres u tregua i saktë duke vendosur ekuilibrin, për ta mbyllur pjesën e parë 1-1.
Fraksioni i dytë i lojës ishte me raste në të dyja portat, por Bournemouth u tregua më i saktë duke shënuar golin e fitores në minutën e 74-t. Evanilson pasoi bukur për Scott, me këtë të fundit që përballë Raya nuk mund të gabonte.
Arsenali humbet pas tetë ndeshjeve në Premier League, me disfatën që vjen në një moment jo të favorshëm për kryesuesit e klasifikimit. Për të gjetur humbjen e fundit në kampionat për 'Topçinjtë' duhet të kthehemi më 25 janar, kur Manchester United fitonte 2-3 në Londër.
Pas kësaj humbjeje të Arsenalit rihapet gara për titullin kampion në Premier League, ndërsa javën që vjen luhet Manchester City - Arsenal, sfida direkte mes rivalëve. Për momentin Arsenali kryeson me 70 pikë, nëntë më shumë se Man. City, por djemtë e Guardiolës kanë dy ndeshje më pak dhe një sfidë direkte, ndaj tifozët e Arsenalit janë në ankth pasi mund të humbasin sërish titullin kampion në javët e fundit.
Ndërkohë Bournemouth rigjen fitores pas pesë barazimeve radhazi dhe me 45 pikë ngjitet në vendin e nëntë, tre pikë pas Chelseat që për momentin ka një vend të sigurt në Evropë.
Komente






