Komedia “Shtëpia”, me regji të Naser Shatrollit ngjiti ne skene një kastë aktorësh vlonjatë, mes tyre Bujar Asqeriu dhe Vefi Redhi. Në teatrin “Petro Marko” të Vlorës u shfaq premiere komedia “Shtëpia”, me regji të Naser Shatrollit.
Në skenë u ngjitën aktorët Bujar Asqeriu, Vefi Redhi, Roland Minga, Ermir Hoxhaj, Loris Sinanaj, Artan Islami dhe Igli Fusha.
Për artisten Vefi Redhi, kjo shfaqje shënoi rikthimin në skenën shqiptare pas shumë vitesh aktivitet artistik në Greqi.
Për regjisorin Naser Shatrolli, kjo ishte vizita e parë në Vlorë. Ai u shpreh i kënaqur për pritjen dhe bashkëpunimin me aktorët.
“Puna ka vazhduar për 40 ditë radhazi, me një ekip të madh dhe artistë të njohur, nga breza të ndryshëm. Jam mirënjohës për teatrin e qytetit të Vlorës dhe qytetarët për mikpritjen, afrimitetin dhe dashurinë e tyre. Është hera e parë që punoj në teatrin ‘Petro Marko’.”- ka shprehur Shatrolli.
Edhe për aktorët, kjo shfaqje kishte një domethënie të veçantë, pasi bëhej fjalë për një rikthim në skenën e qytetit të tyre, përballë një publiku që e vlerëson dhe e kërkon teatrin. Ata vlerësuan bashkëpunimin dhe pritjen e publikut vlonjat, duke e konsideruar premierën një përvojë të veçantë artistike. Një tjetër veçanti ishte fakti se të gjithë aktorët janë nga Vlora.
“Në këtë skenë u rrita dhe u zhvillova. Vjen një moment që kthehesh dhe emocionet janë të pandashme, aq më tepër pranë një publiku shumë të dashur, që më ka inkurajuar dhe më ka nxitur gjatë gjithë rrugëtimit tim krijues. Publiku i Vlorës jo vetëm që është artdashës, por është edhe kërkues."- ka theksuar aktori i njohur Bujar Asqeriu
Ndërkohë aktorja Vefi Redi u shpreh e emocionuar për rikthimin në skenën shqiptare pas shumë vitesh, duke e cilësuar një kënaqësi të veçantë bashkëpunimin me kolegët e saj të vjetër dhe të rinj.
“Ishte ëndërr të luaja me kolegët e mi të vjetër, me artistë të rinj dhe me Bujarin, me të cilin kam luajtur vite më parë. Është një kënaqësi e veçantë të kthehem pas shumë vitesh. Publiku vlonjat më ka munguar.”- tha aktorja.
E ndërtuar mbi vepren e “Vëllazëri e interes” të Kristo Floqit, komedia sjell në skenë marrëdhëniet njerëzore, interesat dhe kontradiktat që fshihen pas dyerve të një shtëpie. Ndërthur humorin me satirën dhe trajton edhe temen e emigracionit.
“Shtëpia” do të vijojë të shfaqet në Teatrin “Petro Marko” edhe të shtunën dhe të dielën.










Komente
Komento