Buxheti i vitit 2027 për arsimin nuk parashikon asnjë rritje page për mësuesit dhe pedagogët, ndërsa financimi i sektorit mbetet në nivelin 2.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kështu deklaron deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cila akuzon qeverinë se nuk ka reflektuar ndaj protestës së studentëve që vijon prej javësh.

Në një postim në Facebook, Xhixho shkruan se projektbuxheti i paraqitur në Kuvend nuk adreson problemet e arsimit dhe se premtimi për financimin e tij me 5% të PBB-së nuk është mbajtur.

“Buxheti 2027 për arsimin është prova më e qartë se kjo qeveri nuk ka reflektuar ndaj protestës dhe se të rinjtë, edukimi dhe e ardhmja e tyre nuk kanë qenë kurrë prioritet i saj”, shkruan Xhixho.

Sipas saj, Shqipëria vijon të shpenzojë për arsimin pothuajse gjysmën e mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa arsimi bazë dhe ai i mesëm mbeten pa ndryshime në financim.

Deklarata e plotë e Erisa Xhixhos 

Buxheti 2027 për arsimin është prova më e qartë se kjo qeveri nuk ka reflektuar ndaj protestës dhe se të rinjtë, edukimi dhe e ardhmja e tyre nuk kanë qenë kurrë prioritet i saj!

Ndërsa studentët janë në protestë prej javësh dhe e cilësojnë sistemin arsimor si të dështuar, qeveria vjen në Kuvend me një projektbuxhet që nuk adreson asnjë nga problemet reale të arsimit, por thellon më tej dështimin.

Shqipëria vijon të financojë arsimin me vetëm 2.3% të PBB-së, pothuajse gjysmën e mesatares së BE-së. Premtimi i hershëm për buxhetin 5% mbeti sërish mashtrim!

Nuk është parashikuar asnjë rritje page për mësuesit dhe pedagogët në buxhetin 2027, ndërsa arsimi bazë dhe ai i mesëm mbeten në vend.

Ironia është se fondet për universitetet dhe shkencën rriten, megjithëse vetëm gjatë vitit 2025 mbetën të pashpenzuara 3.3 miliardë lekë në sektorin e arsimit.

Ndërkohë, ka 20% më pak nxënës në arsimin 9-vjeçar dhe 24% më pak në arsimin e mesëm, krahasuar me vitin 2018–2019. 

Rezultatet shumë të dobëta në PISA treguan qartë dështimin në arsim. 

Analfabetizmi funksional në masën 60% dhe largimi i më shumë se gjysmës së të rinjve të vendit në pak vite tregojnë se arsimi është në emergjencë kombëtare.

Protesta e studentëve kërkon zgjidhje të qëndrueshme. Të rinjtë nuk kërkojnë propagandë, por arsim cilësor, universitete që u japin mundësi dhe të ndërtojnë jetën në vendin e tyre.

Një qeveri që nuk investon te arsimi, nuk investon te e ardhmja e vendit.
Ndaj, vendi ka nevojë urgjente për një ndryshim thelbësor dhe një qeveri të përgjegjshme, që e vendos arsimin në themel të zhvillimit të vendit.

Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar!