Prenk Jakova/Ditët si mësues në
Ulqin,pengu për partiturën e humbu

Prenk Jakova/Ditët si mësues në<br />Ulqin,pengu për partiturën e humbu
Në 100 vjetorin e lindjes së kompozitorit të shquar, një profil me të dhena të panjohur për periudhën kur jepte mësim dhe realizonte krijimet e para…
 
Viti i 100 Vjetorit të lindjes së Kompozitorit të shquar, Prenk Jakova dhe vdekja tragjike e tij në Shtator 1969 na fton ta përkujtojmë me nderim dhe krenari si një ndër personalitetet më të shquar të vendit tonë. Kontributi i Prenkë Jakovës edhe në arsim, një vlerë që e rrit deri në madhështi figurën e tij shumëplanshe.Ishte mësuesi dhe drejtuesi i kompozitorëve më të shquar shqiptar..Por Ai kishte edhe një peng për Partiturën e humbur, të cilën kompzitorët tanë të talentuar mund t'i ofrohen melodisë së shpirtit tij, me një kompozim të ri.

Ishte vetëm një fletushkë, por me shumë vlerë, në të cilën kishte derdhur gjithë emocionet e shpirtit tij të pastër për vashën krajane "Edhe sot nuk m'hiqet prej mendsh ajo melodi e bukur që m’i pat marrë mendët, për nji kohë shumë të gjatë, por nuk e di se ku m'pat hupë parti" P.Jakova
 
Prenka mësues në rrethinat e Ulqinit
Ishte viti 1941, kur Ulqini ishte nën juridiksionin e Prefekturës së Shkodrës, Ministria e Arsimit, emëroi për zonën e N/Prefekturës së Ulqinit mësuesin Jahja Domnorin, me detyrën e Inspektorit të zonës dhe drejtor i shkollës së parë shqipe në Ulqin.Një mësues i pajisur me një kulturë të gjerë pedagogjike dhe me një përvoje të mirë pune, për hapjen e shkollave të reja, si në Dibër, Vlorë, Durres, Shkodër...

Duke pasur në varësi të gjitha rrethinat e Ulqinit, kishte nevojë për mësues të devotshëm, pasi njerëzit atje ishin të etur për shkollën shqipe, e cila deri atëhere ishte e ndaluar. Këte detyrë e mori përsipër vetë inspektori i zonës, Jahja Domnori, që të zgjidhte mësues nga familje të nderuara intelektuale, duke shfrytëzuar njohjet që kishte me ta.

Mësuesi J. Domnori, ishte njohur me babain e Prenk Jakovës, Kolen, kur ishin bashkë në Luftën e Koplikut, me 1920. Kola, me origjinë nga Gjakova, ishte ndër organizatorët e mbrojtjes së kufijëve kombëtar nga agresioni jugosllav.Dy familjet kishin ruajtur një miqësi të sinqertë.Për këte, Zotni Jaho, siç e thërrisnin shkodranët, trokiti në derën e Gjakovarëve, për të inkuadruar djalin e tyre, Prenkën, në këte detyrë fisnike.

Më mirë e përshkruan vetë Prenka këte lidhje në kujtimet e tij.Ai kishte respektin me te madh për Zotni Jahon, (kështu e thërriste Prenka) Ke andje t’i lexosh ato shënime, me një gjuhë të bukur shkodrane, ku Prenka i ka dhënë melodinë e shpirtit te tij.
“Nji ditë, tek po lexojshe diçka në revisten “Hylli I Drites, ”në oden e vogël u fut nana Rozë, me duert e saja tanë shkumë sapunit e tanë preokupim, e më thotë se ka ardhe nji mik i shtepisë tonë, Jaho Domnori, që ishte drejtor i shkollës fillore të Ulqinit.

Unë tue e njoftë mirë zotni Jahon, lashë librin e dola menjëherë në oborrin tonë të vogël, ku nana Rozë e kishte vendue në nji karrike thuprash .Pasi u falme me njeni tjetrin, ai me propozoj që të shkojshe si mësues në katundin e Katërkollit, në Anë të Malit, se në ate zonë kishte marrë edhe mësues të tjerë prej Shkodret, si Viktor Kicin, Prenke Shiroken, Shuk Shllakun, Ramadan Millen, Zef Berishen e shumë të tjerë.

Unë si me marifet ja hodha fjalën, për me më marrë në Ulqin, e aj plot deshirë, me premtoi se do ta realizonte këte deshirë timen, por në të ardhmen.Me që të gjithë mësuesit, që më përmendi Zotni Jahoja i njifshe mirë, pranova pa ma të voglin hezitim.
Nana tuj i prue nji kafe tarnake, e tuj fluturue prej gzimit e falnderonte zotni Jahon për interesimin e tij. Ajo ju lut edhe për vllaun tem, Çeskun, për me i gjetë nji vend edhe atij, se i pelqente natyra dhe puna si mësues”.(nga kujtimet e P.Jakoves ).

Edhe pse i ri në moshë Prenka kishte një kulturë të gjerë, sepse vinte nga shkolla "Illyricum" dhe nga mësimet e Atë Martin Gjokës.Që kur ishte fëmijë mbante mend një shetitje me barkën "Scanderbeg" që kishte organizuar Atë Martini duke u rrëfyer edhe historinë e Heroit Kombëtar.Kështu ishte i gatshëm të shërbente në ato zona me tradita patriotike.

Fjalimi që mbajti drejtori i shkollës ditën e fillimit të mësimeve me prindër, mësues dhe autoritetet vendore ku ndër të tjera iu drejtua ulqinakëve, me këto fjalë të urta: "Andrra që keni pasë pamë tash sa kohë, se nji popull që ruen gjuhën e vet, aj ka ruejt çilsin e indipendencës, u shfaq sot si drita e syve.Kjo gjuhë e ruejtun prej jush, si prushi në gji duhet punue, e këte punë e ban shkolla.....Shkolla përpiqet me pregaditë qytetarë e qytetare të respektueshëm ndaj ligjeve, me dashtë tek s'ban Atdheun, e krejtë të gatshëm me ba çdo sakrificë për te"

Bashkëpunimi i Prenkës me drejtorin dhe personelin të gjithë të përkushtuar për shkollën në fjalë, ia shtoi edhe më shume forcat.Ai punoi me ndergjegje të lartë qytetare, dhe shkriu gjithë talentin e tij muzikor dhe profesional.
Ky ishte motivi kryesor i të gjithë atyre që punuan pa u ndalur për të përhapur dijet në gjuhën e bukur shqipe.

Kështu veproi edhe Prenka, djalë i ri.Ai shpesh ndeshej me prindër të cilët ia drejtonin pyetjet pa kuptuar, në gjuhën sllave, por Prenka me dashuri dhe admirim për ata njerëz të mirë u thoshte: ”O vllazen, kjo asht shkolle shqipe, mos ma permendni ma "pjevanjen por me thoni :A..din..me ..këndue ...mirë ..shqip.... por ata tuj qeshë më merrnin me të mirë, tuj më puthë dorën e prap tuj me thanë:Tu rritt ndera, o gospodari i Shkodrës...! Ishin njerëz të mrekullueshëm që i kujtoj shpesh me nostalgji"(P.Jakova)
Me që ishin fëmijë, tepër patriotë, - shkruante Prenka, - u mundojshe me ju msue Fishten, Ndre Mjeden, Hymnin e Shqipnisë, e shumë histori të patriotëve shqiptarë.

Prenka kishte diçka më tepër se mësuesit e tjerë, ai ishte muzikant dhe këte mrekulli të natyrës do ta ndante me të tjerët.

”Me vete pata marrë edhe nji fizarmonikë të vogël të cilën e hidhshe në krah e shkojshe për me i ra, muzikë të kohës edhe popullore shkodrane, krajanet e kishin për zemër kangen e Shkodrës …Shumë nxanës filluen me i ra bukur ndër ta edhe djali i hoxhës se Krajës, por aj kishte edhe nji za fenomenal prej tenori.Ata kishin nji vesh apsolut.”(P..Jakova)

Nuk ishte hera e parë që Prenka e kishte shkelur këte vend. Ai sjell ndër mend kujtimet e fëmijërisë, kur kishte lundruar me barken “SCANDERBEG” për të vizituar Kalanë e Ulqinit me shokët e klasës.Mbante mend edhe fjalët e Atë Martinit, i cili gjatë lundrimit ju thoshte femijëve se sa herë do ta kujtoni këte barkë do të kujtoni Gjergj Kastriotin, Skenderbeun tone legjendar:”Mundem me thane se ne Ulqin filluen me më ardhë frymëzimet e para për historinë e Skenderbeut.”(P.Jakova)
 E për rrjedhojë, nuk qe e papritur nga Prenka kompozitor, kryevepra, Opera“Skenderbeu” sepse ishte nje lënde e akumuluar ndër vite, e cila priste të shpërthente.

Ishte në moshën më të bukur, kur Prenka ishte mësues në rrethinat e Ulqinit. Si njeri i ndjeshem i kishte mbetur një peng, për një kengë që i kishte humbur fleta e kompozimit.Ai shkruan ne kujtimet e veta: "Një ditë, me një klasë dolme në sheti tek pylli i kështenjave.Tek një Ubël, pashë një vajzë të re, tuj mbushë ujë.Se si mu duk! Si një shtojzavalle, që deri atëherë nuk e kisha parë kërkund tjetër.Nuk e di se ç'ka pata ....!

Më erdhi një frymëzim, dhe menjëherë, nxora një tefterë, dhe fillova, me hedhë një vjershë, që m'duel prej zemrës.E ma vonë, bana një kangë me te, por parti nuk e di se ku m'pat hupë, kur kjeshë në b...., por edhe sot, nuk me hiqet prej mendesh,
ajo melodi e bukur, që mi pat marrë mendet, për një kohë shumë të gjatë.
 
"Vashës Krajane"
 
Te nji ubël, tuj mbushë ujë, //Pashë nji vashë e s'ja thashë kujë.// Veshë në t'bardha, për marak.//Nuk qe vashë, por qe zamak, //
Me sy t'ballit unë e pashë.//E kërkuj nuk ja thashë.
Me flokë t'verdha kaçurrela, //Për mbi sy, ja hidhte era.//
Me sy t'ballit unë e pashë// E kërkuj nuk ja thashë.//
Sa e bukur ish kjo vashë.// Me sy t'ballit unë e pashë.//
 
Sa keq me erdhi, që ndejta aqë pak në atë vend, të mrekullueshëm e të qetë. Edhe pse ishin mësues me përkatësi fetare të ndryshme, ata punuan për arsimin laik, duke respektuar besimet e zonës.Punuan në harmoni të plotë me një qellim të përbashkët, për të përhapur dritën e diturisë në gjuhën shqipe, duke i shënuar në ditarët e tyre si vitet më të bukura të jetës tyre.

Prenka shkruan:”Ketu u njoha me shumë krijime të mrekullueshme të folklorit të papërsëritshëm të Krajës, ku aj i Ostrenit ishte i veçantë. Këtu më bante përshtypje edukata tolerante e myslimanve të Krajës të cilët i ruanin me plot përkujdesje objektet e kultit kristian, si kishen, Ublen e Vjetër, çelen ne Prift-naj e shumë toponime e vende të tjera të shenjta kristiane, ku riti në malin e Rumijes, ishte nji brilant shumë i shenjtë si për katolikët ashtu edhe për myslimanët, të cilët ishin shumë fanatikë, në zbatimin e këtyre riteve.”

Toleranca fetare dhe mirëkuptimi ishin të njohura në rrethet intelektuale të Shkodrës. E njëjta gjë është shkruar edhe në ditarin e drejtorit të shkollës së Ulqinit J.Domnori:”Në shkollë, ku pa dyshim rrin e mëson si i vobekti, si pasaniku, përpjeket e afrohet ma tepër gjaja shoqnore, këtu fillon pra me ja dijtë pasaniku të vobektit, zengjini fukarasë.Këtu mëson fëmija ç’asht zeqati, sadakaja, buka e Shndandout…

Dhima për të vobektin e drejtësia për të gjithë, janë bazat esenciale të shkollës së sotshme " ( J.Domnori). Shënimet e këtyre mësuesve flasin shumë dhe kanë vlera bashkëkohore. Ata vunë në jetë idetë pedagogjike më të përparuara të kohës, duke luftuar padijen dhe` pasivitetin dhe duke nxitur lirinë e mendimit me modelet më të mira dhe më të përshtatshme të arsimit përparimtar evropian. Ata hynë në Historinë e Arsimit tonë Kombëtar me vlera të patjetërsueshme.

Mirënjohje për artistin shembullor PrenkJakova, për veprat madhore që ka lënë për t'u përjetësuar ndër breza. Ndërsa pengun e tij të sinqertë, për partiturën e humbur, do të gjendet një talent që ta kompozojë në akord me melodinë e shpirtit të tij.
Prenk Jakova, lindur në Shkodër 1917, kompozitor i shquar i gjinisë së operas kombëtare shqiptare, me dy veprat e tij Gjergj Kastrioti-Skenderbeu dhe Mrika.Gjithashtu shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë.Këngët e tij "Syrin tek qershia"dhe "Margjelo" për popullaritetin që kanë sot identifikohen si këngë popullore shkodrane.

I jati Kolë Ded Jakova , ka qenë ndër organizatorët e mbrojtjes së kufijëve kombëtarë nga agresioni jugosllav në Luftën e Koplikut 1920. Ushtroi profesionin e mësuesit në fshatrat e Shkodrës dhe Mireditës pa u ndarë asnjeherë nga të shkruarit e veprave muzikore. Të vellanë Çeskun e pushkatuan komunistët për pikëpamjet e tij nacionaliste. Prenkën e burgosin për disa kohë dhe e liruan, sepse nuk kishte ushtruar kurrëfarë veprimtarie, përveç detyrës si mësues. Vdes ne menyrë tragjike në Shtator 1969.

jakova
Prenke Jakova 18 vjeçar mësues dhe drejtues muzikor i nxenesve, në shkollën “Illyricum”, të cilët më vonë u bënë kompozitorët më të shquar shqiptar

jakova
 Prenke Jakova 

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Ceremonia e ngritjes së flamurit në Shkodër

112-vjetori i Pavarësisë/ Ceremonia e ngritjes së flamurit në Shkodër