Prerja e pishave në malin e Moravës është kthyer në fenomen shqetësues që pranohet edhe nga bashkia e cila është e pafuqishme për të ndalur motorsharrat.

Në përkeqësimin e situatës ka ndikuar dhe shkrirja e Inspektoriarit të Mjedisit. Report TV ka qenë sot në malin e Moravës në Korçë,  i cili njihet edhe si mushkëria e qytetit juglindor.

Në pyllin e Moravës  që administrohet nga bashkia e Korçës, grupi i xhirimit të Report TV ka konstatuar 5 vatra, ku ka prerje masive të pishave.

Përgjatë rrugës sheh gjurmë të kafshëve të cilat duket se përdoren për transportin e lëndës drusore.

Johan Marko specialist i pyjeve më bashkinë e Korçës shprehet se prerja e pyjeve është një fenomen shqetësues në disa zona.

Gjithashtu ai thotë se bashkia e qytetit ka kërkuar ndihmën e instuticioneve të tjera për ngritjen e një task force të përbashkët.

Por kalimi i Inspektoriarit të Mjedisit nga Ministria e Turizmit në varësi të Ministrisë së Brendshme ka bërë që situata me pyjet të përkeqësohet, pasi njerëzit e kanë shfrytëzuar këtë vakum ligjor e institucional.

I konsideruar si mushkëria e qytetit juglindor, pylli i Moravës po shkon drejt degradimit për shkak të prerjeve të paligjshme dhe sëmundjes së pishave.