100 kartëmonedha 500 euro i janë gjetur ish-kreut të Kadastrës së Vlorës, Klodjan Troci, i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme. 'Tufa' e parave u gjet një ditë më parë në banesën e Trocit, ndërsa po ashtu, veçmas u gjet edhe shuma tjetër prej 15 mijë eurosh.

Troci u vu në pranga pas hetimeve disa javore, për tjetërsimin e pronave në bregdetin e jugut.

Ai dyshohet se ka bashkëpunuar nga viti 2019 deri në vitin 2021, me  Bardhyl Gjikën, drejtoi i drejtorinë e administrimit të tokave në Vlorë dhe specialistin në drejtorinë e administrimit të tokave, Kreshnik Mino për falsifikim të dokumenteve të pronësisë.

Sipas Prokurorisë së Vlorës, këta persona bënin 'një sy qorr', kur dokumente të pronësisë ishin me probleme falsifikimi, duke u njohur si të rregullta nga Zyra e Administrimit të Tokës dhe më pas janë lëshuar tituj të pronësisë nga Kadastra.

Pak ditë më parë në zyrat e këshillit të qarkut në Vlorë u vodhën dy dosje për pronat në Dhërmi. Por rezultoi se e gjithë ngjarja ishte inskenuar nga Drejtori i administrimit e mbrojtjes së tokës, Bardhyl Gjika, specialisti i kësaj drejtorie, Kreshnik Mino dhe një 51-vjeçar i identifikuar si Spiro Duni.

Këta persona kishin bashkëpunuar me njëri-tjetrin në falsifikimin e dokumenteve të pronësisë së një toke në Dhërmi, por më pas nga frika për të mos u kapur, inskenuan grabitjen e dosjeve, por duket se çështja e falsifikimit të dokumenteve shkon më tej se vetëm për një pronë.