'Historia' me falsifikimin e dokumenteve të pronave në Dhërmi e Himarë vijonte prej 3 vitesh dhe duket se shkon më larg se drejtoi i drejtorinë e administrimit të tokave në Vlorë, Bardhyl Gjika. Ditën e sotme është arrestuar ish kreu i kadastrës së Vlorës Klodjan Troci, që u dorëhoq disa ditë më parë, i cili akuzohet se ka bashkëpunuar në këtë skemë të tjetërsimit të dokumenteve të pronave.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Vlorës, që nga viti 2019 deri në vitin 2021, Klodjan Troci, Bardhyl Gjika dhe specialisti në drejtorinë e administrimit të tokave, Kreshnik Mino kanë bashkëpunuar duke falsifikuar dokumenteve arkivorë të pronësisë, si tapi pronësie apo përdorimi për banorë të fshatrave Himarë e Dhërmi, etj. të Bashkisë Himarë.

Sipas Prokurorisë, për një numër të konsiderueshëm praktikash, ata kanë bërë 'një sy qorr', ku ndonëse janë konstatuar dokumente pronësorë me ndërhyrje, i kanë njehsuar ato, duke i konfirmuar dhe përcjellë personave ose institucioneve kërkuese.

Disa dokumente pronësorë të falsifikuara i janë dërguar atyre edhe nga 51-vjeçarin Spiro Duni, banorë i Himarës, për të cilin gjykata vendosi sot 'arrest me burg'. Po ashtu në burg u la sot edhe Bardhyl Gjika, ndërsa për Kreshnik Minon u caktua masa e arrestit detyrim paraqitje.

Gjatë kontrollit sot në shtëpinë e Trocit, policia gjeti edhe një shumë parash prej 65 mijë eurosh. Troci ka punuar për një periudhë gati tre mujore si drejtor në drejtorinë e pronave në Qarkun e Vlorës, ku më pas u zëvendësua nga Bardhyl Gjika.

Pak ditë më parë në zyrat e këshillit të qarkut në Vlorë u vodhën dy dosje për pronat në Dhërmi. Por rezultoi se e gjithë ngjarja ishte inskenuar nga Drejtori i administrimit e mbrojtjes së tokës, Bardhyl Gjika, specialisti i kësaj drejtorie, Kreshnik Mino dhe një 51-vjeçar i identifikuar si Spiro Duni.

Këta persona kishin bashkëpunuar me njëri-tjetrin në falsifikimin e dokumenteve të pronësisë së një toke në Dhërmi, por më pas nga frika për të mos u kapur, inskenuan grabitjen e dosjeve, por duket se çështja e falsifikimit të dokumenteve shkon më tej se vetëm për një pronë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:43
U arrestua sot, ish-kreu i Kadastrës së Vlorës i afërm i ish-prokurorit të VIP-ave, Ramadan Troci, i shkarkuar për fshehje pasurie dhe arrogancë

Klodjan Troci, ish-kreu i Kadastrës së Vlorës që u arrestua për falsifikim të dokumentave të pronave prej 3 vitesh në Dhërmi e Himarë, rezulton  i afërm i ish-prokurorit Ramadan Troci, i njohur edhe si 'prokurori i VIP-ave', për shkak se ka arrestuar Ardian Fullanin dhe Shpëtim Gjikën, që të dy të shpallur të pafajshëm nga gjykatat.

Troci u shkarkua KPK kryesisht për fshehje pasurie dhe arrogancë. Trupa gjykuese e KPK doli në përfundimin se Troci ka fshehur pasuri si dhe ka përdorur pasurinë për realizimin e një standardi jetese që nuk përputhet me nivelin e pëlqyeshëm që do i takonte një funksionari publik në sytë e publikut.

Ora 20:28
U shpall në kërkim për falsifikimin e dokumenteve të pronësisë në Dhërmi, arrestohet pas disa orësh ish-kreu i Kadastrës së Vlorës

1634495346_Screenshot1.jpg

Pas disa orësh i shpallur në kërkim, Policia ka vënë në pranga ish-kreun e Kadastrës së Vlorës Klodjan Troci. Ai dyshohet se është pjesë e skemës së falsifikimit të një sërë dokumentesh të pronësisë në Dhërmi e Himarë.