Lajmi është konfirmuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe aktivistë të drejtorëve të shkollave në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës.
Në një komunikatë për mediat Këshilli Kombëtar Shqiptar njofton se deri tani arsimi në gjuhën amtare nuk është respektuar në bazë të ligjeve dhe kushtetutës në fuqi.
“Deri më tash Këshilli Kombëtar Shqiptar iu është drejtuar të gjitha institucioneve shtetërore të Republikës së Serbisë dhe përfaqësive ndërkombëtare, për zgjidhjen e kësaj çështje të ndjeshme dhe komplekse. Por nuk ka pas gatishmëri institucionale dhe vullnet politikë që në mënyrë serioze të zgjidhet mungesa e teksteve mësimore në gjuhën shqipe e aq më pak për lirimin e teksteve nga terminali doganor”, thuhet në komunikatë.
KosovaPress raporton se në shkollat me mësim në gjuhën shqipe ende nuk kanë arritur një donacion prej 103,222 tekste mësimore nga Republika e Kosovës pasi këto tekste kanë mbetur të bllokuar në terminalin doganorë në Preshevë prej datës 10 shtator 2015.
Redaksia online
(o.m/shqiptarja.com)