Preshevë, shqiptari i liruar nga
burgu: Më kanë rrahur para Daçiç

Preshevë, shqiptari i liruar nga<br />burgu: Më kanë rrahur para Daçiç
PRESHEVË - Agush Memishin është njëri prej 12 të akuzuarve, tashmë të liruar  nga qelitë e burgjeve serbe në Beograd pas mungesës së dëshmive, teksa drejtësia ishte ne anën e tyre. Gazetari i agjencisë së lajmeve “Presheva jonë” ishte sot vizitë tek familja Memishi për të uruar për lirimin e tij. Ai ka sjellë një intervistë ekskluzive plot dëshmi dhe rrëfime rrënqethëse. 

“Në fillim unë nuk e kam ditur as me kë jam arrestuar, pasi që kur ma kanë futur thesin në kokë, deri në bazën e xhandarmërisë serbe në Preshevë, nuk kam parë asgjë, e kur na dërguan në bazë prapë na kanë rrahur para syve të Ivica Daçiçit (kryeministër i Serbisë), i cili ishte prezent aty.” Ka deklaruar faktin tronditës i posaliruari Agush Memishi nga Presheva, duke shtuar se “tani jam bindur se shpirti nuk  po dilka me zor dhe s’po mundka askush me ta marr pa urdhrin e Zotit! Nuk largohem kurr nga Presheva, Zoti ma ka dhënë shpirtin dhe vetëm ai mund të ma marrë…”.

Në këtë intervistë, Agushi flet për herë të parë për keqtrajtimet dhe mbi metodat e specializuara të shtetit serb”, siç i quan vetë Agushi,  të cilat përkundër përpjekjeve ato nuk funksionuan për të bindur asnjërin nga ne për të “dëshmuar” shpifje kundër njëri-tjetrit.

“Presheva Jonë”: Periudha e torturave tuaja zgjati plot 5 vite, si e keni përjetuar këtë kohë?
MEMISHI: Ne në fillim as që kemi pasur kohë të mendojmë për ndonjë gjykim apo lirim të mundshëm, sidomos ditët e para kanë qenë të stërmbushura me tortura të paimagjinueshme. Kjo periudhë ka zgjatur derisa pas një kohë erdhi të na vizitonte Kryqi i Kuq, të cilët po ashtu nuk është se bënë diçka të jashtëzakonshme për ne. Shteti serb me mënyrën se si na torturoi, them torturoi se që në mënyrën se si na kanë marrë unë nuk them se ka qenë arrestim, ai ka qenë një keqtrajtim dhe me anë të shantazheve dhe torturave ç’njerezore siç dinë më së miri ata menduan se ne do ta “shesim” njëri-tjetrin dhe brenda për brenda qelive të burgut do të prodhoheshin dëshmitë dhe dëshmitarët inekzistentë. Ata pas torturave që na ushtruan e që rezultuan jo të frytshme në favor të tyre, e ndërruan kursin e veprimit duke na ofruar pasaporta me identitet të ri, duke na ofruar banesa e shtëpi luksoze, truprojë personale deri në fund të jetës, me një fjalë jetë përrallore nëse ne do të pranonim që të shpiknim akuza kundër shoku-shokut. Pasi na rrahën brutalisht, mua personalisht më kanë rënë më shumë se 200 herë në kokë, me një shishe e mbushur me ujë dhe normalisht unë edhe nuk isha në gjendje të mirë psikike, pas torture ata nuk na akuzonin më për vrasje, nuk na akuzonin për krime, por na bënin presion me çdo kusht, që të bëhemi dëshmitarë. Kjo iu nevojitej atyre, por nuk ia dolën. I kam thënë atyre se shpirtin mund të ma merrni, por në të gënjej në të mirë tuajën e në dëm të shokëve të mijë kurrë nuk do të ndodhë.  Në fillim unë nuk e kam ditur as me kë jam arrestuar, pasi që kur ma kanë futur thesin në kokë, deri në bazën e xhandarmërisë në rrethin e Preshevës, nuk kam parë asgjë, e kur na dërguan në bazë prapë na kanë rrahur para syve të Ivica Daciçit, i cili ishte prezent aty.

“Presheva Jonë” -  Në fillim kur ju u arrestuat, e gjithe Presheva, Medvegja e Bujanoca u zgjuan në këmbë, protesta çdo ditë, dikur këto u ndalën dhe vinin zëra se këto po ju dëmtojnë juve? Si në fakt ka ndodhur, a keni pasur dijeni ju për këto protesta dhe sa kanë reflektuar tek ju atje?
MEMISHI: Ne atje kemi qenë totalisht të izoluar dhe normal se nuk kemi parë asgjë, përveç të afërmit që na vizitonin  dhe na tregonin çka po bëhet në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, por edhe nga gardianët herë pas herë shtoheshin torturat që nuk pushonin asnjëherë duke na bërtitur: “Shikoni populli po i përkrah terroristët, po ju përkrahin juve”. Kur në njërën prej vizitave vëllai im filloi të qajë e pyeta se çfarë ke, mu përgjigj: “Vlla, edhe me pas vdek kaq shumë njerëz nuk kishin ardhë me na vizitu”, e kjo normalisht se të jep kurajo, kur tërë popullin e ke pas vetes. Sikur lufta ashtu edhe burgu është për burra dhe trima.

“Presheva Jonë”: Ju pra keni qenë të akuzuar për krime lufte pas luftës së UÇK-së?
MEMISHI:  Njerëzit po e ngatërrojnë, pra ne kemi qenë të akuzuar për krime lufte, pas lufte! Ligji thotë se krimi i luftës mund të bëhet vetëm gjatë luftës, e jo pas luftës. Unë kam qenë i akuzuar për 36 vrasje, por çka është interesante këtuë është se ata 36 të vrarë jo që nuk i kam njohur unë, po nuk i ka njohur as gjykata, as ngritësi i padisë nuk e ka ditur se kush janë ata 36 veta që paskam vrarë unë.

“Presheva Jonë”: Ju po thoni, por edhe ne e dimë se jeni akuzuar për krime lufte pas luftës së UÇK-së në Kosovë, a keni pasur ndonjë përkrahje nga udhëheqësit atje, edhe a keni pritur diçka?
MEMISHI:  Unë personalisht në asnjë moment nuk do ta kisha lidhur politikën me çështjen e ushtrisë, por nganjëherë ajo detyrimishtë lidhen. Unë ndoshta edhe gabohem, por deri tani nuk mendoj se politika kosovare ka bërë aq sa kemi merituar për ne. Ne të gjithë e dimë se kush është Ivica Daçiçi, pasardhësi i atij që i bëri luftrat në Kroaci, Bosnjë, Kosovë, por edhe në Preshevë. Presheva është Kosovë këtë të gjithë e dimë edhe pse Republika e Kosovës nuk e pranon një gjë të tillë. Dikush e ka pasur fatin të vdesë për vendlindje në mbrojtje të trojeve të stërgjyshëve, unë nuk e kisha atë fat dhe për këtë ndiej keqardhje. Unë kam qenë ushtar, jo politikan, e di se dikush ushtrinë tonë  e ka keqpërdour dhe e shfrytëzon nëpër fushata.

“Presheva Jonë”-  A keni pasur ndonjë telefonatë apo kërkesë për t’u takuar nga dikush nga Kosova?
MEMISHI: Unë për veti prap po them nuk dua ta përzij kontributin tim në luftë me politikë, politika nuk më intereson nëse mërzitën për ne apo jo, mua do të më vinte mirë sikur OVL e UÇK-së të na vizitonte apo kjo do të më bëntë të ndihesha më mirë se sa ata që e bëjnë sot politikën. Unë kam qenë ushtar, jo politikan, e di se dikush nëpër fushata e shfrytëzon ushtrinë për çështje politike, por një gjë të tillë nuk do ta bëja kurrë unë, unë prapë po them ndihem keq që nuk kam pasur fatin të flijohem për vendlindjen time.

“Presheva Jonë” Sa jeni i kënaqur me përkrahjen e politikanëve të vendit në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc?
MEMISHI:  Nuk them se nuk kanë bërë asgjë, falemnderit për atë që e kanë bërë po fundja e kanë pasur për obligim. Politika jonë ka mundur ta ngrit zërin edhe më lartë, ka mund të bëjë edhe më shumë, unë nuk e di pse, ndoshta po frigohen po unë them se ne nuk kemi pse të frigohemi në shtëpitë tona, le të lëmë të frigohen ata që kanë ardhë pas nesh, pse ne?!

“Presheva Jonë” - Qëllimi i arrestimit e keqtrajtimit tuaj ka qenë largimi i juaj dhe i shokëve tuaj nga shtëpitë tuaja për në Kosovë apo perëndim, a mendoni se ja kanë arritur, a do të ikni nga Presheva?
MEMISHI:  Unë kurrë nuk do të largohem nga Presheva, kurrë. Unë para se të arrestohem kam punuar në Itali dhe normal atje e kam punën dhe do ta vazhdoj jetën si kurbetqar atje por shtëpinë, familjen, pushimet gjithçka tjetër i kam në Preshevë. Nuk kam prej kujt të frigohem. Zoti na ka dhënë jetën dhe vetëm ai mund të na marrë.

“Presheva Jonë” Lapidari u vendos dhe u hoq! Si e keni përjetuar këtë akt ?
MEMISHI:  Lapidari në fillim kur u vendos me të vërtetë më ka gëzuar jashtë mase, pasi ka të gdhendur aty në gurë shihja emrat e miqve e shokëve të mi, atyre që bashkë kaluam male e kodra për këtë tokë, e pastaj heqja e lapidarit natyrisht se më ka bërë të ndihem keq dhe mendoj që se si kanë rrjedhur punët më mire ka qenë mos të vendoset fare, para se të mendohej mirë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ervin Hoxha merr detyrën si Ministër i Brendshëm: Prioritet reformimi i drejtuesve të Policisë

Ervin Hoxha merr detyrën si Ministër i Brendshëm: Prioritet reformimi i drejtuesve të Policisë