Presidenca: Data e zgjedhjeve në
Dibër sipas të gjitha afateve ligjore

Presidenca: Data e zgjedhjeve në<br />Dibër sipas të gjitha afateve ligjore
Presidenca ka reaguar pas pretendimeve të Partisë Socialiste se dekreti i Nishanit për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Dibër, është në shkelje me Kodin Zgjedhor.
 
Shefi i kabinetit të Presidentit, Olsi Lafe, u shpreh se data e zgjedhjeve korrespondon me të gjitha afatet ligjore dhe është në përputhje me nenin 10 të Kodit Zgjedhor. Presidenca sqaron se Gjykata Kushtetuese pas vendimit për shkarkimin e Xhelilit, ka informuar zyrtarisht Presidentin, duke i dhënë në këtë mënyrë mundësinë ligjore për caktimin e datës së zgjedhjeve.
 
Presidenca e cilëson deklaratën e PS si deformim të përcaktimit ligjor. 

"Shkresa njoftuese nga Gjykata Kushtetuese pas vendimit për rrëzimin e kërkesës së Shukri Xhelilit ka mbërritur në Presidencë në datën 1 gusht. Jemi informuar se data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është 1 gusht 2016. Nga ku fillon përllogaritja e datës për mbajtjen e zgjedhjeve dhe datat janë 4 shtator ose 11 shtator, 2016.
 
Data e përcaktuar në dekret korrespondon me afatet ligjore të nenit 10 pika 3 të Kodit Zgjedhor.
 
Brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit zyrtar, presidenti dekretoi në datën 2 gusht 2016, datën e zgjedhjeve për Bashkinë Dibër.
 
Pretendimet e Partisë Socialiste janë të pavërteta. Presidenti kërkon zhvillimin e lirë, të drejtë dhe të ndershëm të zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë Dibër
", tha shefi i kabinetit të Presidencës, Olsi Lafe.

dokument
(Shkresa e mbërritur në Presidencë nga Kushtetuesja)

Deklarata e Shefit të Kabinetit të Presidentit, Olsi Lafe
Institucioni i Presidentit të Republikës mbetet i çuditur nga deklarata e subjektit politik Partia Socialiste e Shqipërisë në kundërshtim të Dekretit të Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Dibër.
 
Kjo deklaratë nuk është serioze dhe deformon të gjitha përcaktimet ligjore, kushtetuese dhe institucionale.
 
Presidenti i Republikës, bazuar në detyrimet e Tij kushtetuese, si dhe dispozitave të Ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, ka vendosur të dekretojë datën e zgjedhjeve vendore për Kryetar Bashkie të Bashkisë Dibër, të Qarkut Dibër.
 
Fillimisht informojmë dhe sqarojmë opinionin publik që Gjykata Kushtetuese ka njoftuar Institucionin e Presidentit të Republikës zyrtarisht, me shkresën me Nr. Prot. S-30, datë 1 gusht 2016, se kjo Gjykatë ka rrëzuar kërkesën e zotit Shukri Xhelili duke lënë në fuqi Vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij.
 
Në këtë kuadër, përmes kësaj shkrese jemi informuar se data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është 1 gusht 2016, nga ku dhe fillon përllogaritja e datës së zhvillimit të zgjedhjeve vendore në këtë Bashki, të cilat në çdo rast janë vetëm: data 4 shtator ose 11 shtator 2016.
 
Për pasojë, data e përcaktuar në dekretin e Presidentit të Republikës, korrespondon me afatet ligjore të përcaktuara në nenin 10, pika 3 të Kodit Zgjedhor.
 
Rrjedhimisht, është lënë në fuqi Vendimi i Këshillit të Ministrave, nr. 361, datë 13.05.2016, “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Dibër, zotit Shukri Xhelili”, vendim i cili kujtojmë se është botuar në Fletoren Zyrtare, me nr. 81, të datës 17 maj 2016.
 
Në këto kushte, bazuar edhe në nenin 10, pika 3 të Kodit Zgjedhor, Presidenti i Republikës, brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit zyrtar mbi datën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dekretoi më datë 2 gusht 2016 datën e zhvillimit të zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Dibër.
 
Institucioni i Presidentit të Republikës i shpreh keqardhjen opinionit publik për përhapjen tek ai të informacioneve të pavërteta rreth përcaktimeve ligjore dhe kushtetuese që rregullojnë organizimin e zgjedhjeve në vend si dhe mbi përmbushjen e detyrimeve institucionale të Presidentit të Republikës në këtë proces.
 
Presidenti uron dhe kërkon zhvillimin e lirë, të drejtë dhe të ndershëm të procesit të zgjedhjes së Kryetarit të Bashkisë Dibër.


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois