Postin e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, do t’ia dorëzojë kryetarit të ri të Kuvendit që do të zgjidhet nga legjislatura e njëmbëdhjetë.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga Presidenca e Kosovës thanë se vendi nuk mund të mbetet pa ushtrues detyre të presidentit.
“Me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, kushdo qoftë ai apo ajo, ushtrimi i detyrës së presidentit kalon te kryetari i ri i Kuvendit, deri në zgjedhjen e presidentit të Republikës”, tha Presidenca në një përgjigje për REL-in.
Legjislatura e re, e dalë nga zgjedhjet e qershorit, ende nuk është konstituuar. Seanca konstituive, që nisi më 6 gusht, nuk është përmbyllur, pasi Lëvizja Vetëvendosje kërkon që fillimisht të ketë pajtim për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Haxhiu ushtron detyrën e presidentit që nga 4 prilli, si kryetare e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar në krye të shtetit të Vjosa Osmanit.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet më gjatë se gjashtë muaj.
Në rastin e Haxhiut, ajo mund ta ushtrojë këtë post deri më 4 tetor.
Nga Presidenca e Kosovës e lanë të hapur mundësinë që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për sqarim, nëse deri më 4 tetor deputetët nuk zgjedhin një president të ri të shtetit.
“Në këtë fazë nuk do të paragjykonim nëse do të paraqitet nevoja për një procedurë të tillë”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.
Megjithatë, sipas këtij institucioni, aktualisht fokusi duhet të jetë te zgjedhja e një presidenti me mandat të plotë.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në fillim të kësaj jave arritën marrëveshje për çështjen e presidentit. Ky partitë propozuan Bekim Sejdiun, ish-gjyqtarin e Gjykatën Kushtetuese, Bekim Sejdiu, për postin e presidentit.
Por, një ditë më vonë, marrëveshja nuk u përkrah nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke ngritur pikëpyetje nëse ajo mund ta prodhojë kreun e ri të shtetit.
Pas këtij zhvillimi, kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se do të vazhdojnë përpjekjet për çështjen e presidentit, duke shtuar se tani janë 74 vota për Sejdiun.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohet pjesëmarrja e së paku 80 deputetëve në votim nga 120 sa i ka gjithsej Kuvendi i Kosovës.
Në dy rundet e para nevojiten 80 vota, ndërsa në të tretin 61, me së paku 80 deputetë të pranishëm në sallë.
Nëse presidenti nuk zgjidhet as në rundin e tretë, sipas Kushtetutës, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh./ REL








Komente
Komento