Presidenca e Kosovës e ka mohuar se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i kishte ofruar mbështetje presidentes Vjosa Osmani për të garuar për një mandat të dytë në krye të shtetit, duke ia siguruar nënshkrimet e nevojshme për të hyrë në garë.

Shefja e stafit të Osmanit, Learta Hollaj e quajti “gënjeshtër” deklaratën e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, se partia e saj ia kishte ofruar Osmanit 30 nënshkrimet e nevojshme për të garuar, por se ajo e kishte hedhur poshtë mundësinë.

"Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si presidente e Kosovës", shkroi në Facebook Hollaj.

Kundërpërgjigja e Nagavcit ishte kjo:

“Zonjës Learta dhe zonjës presidente, unë sot ua garantoj votat e Lëvizjes Vetëvendosje. E them publikisht: nëse flasim për nënshkrimet e deputetëve, nëse thuhet se kjo nuk është e vërtetë, unë sot jam e gatshme dhe garantoj në emër të Lëvizjes se do t’i ofrojmë votat për të vazhduar më tej në garë”.

Presidentja Osmani ka thënë hapur se e synon edhe një mandat si presidente, por duket se s'ka vota të mjaftueshme.

LVV-ja, që e pati kandiduar më 2021 për presidente, tani nuk e ka përmendur emrin e saj, ndërsa partitë tjera kanë përsëritur disa herë se nuk e shohin si figurë unifikuese, pasi ka qenë e njëanshme, në të mirë të LVV-së.

Më herët gjatë ditës, LVV-ja e bëri publike se kandidon zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca për president.

Nagavci tha se LVV-ja i ka numrat e mjaftueshëm të deputetëve për t’ua siguruar garimin dy kandidatëve, por, “duke dashur të ofrojë mundësi për bashkëpunim dhe për një garë që u jep mundësi garimi edhe kandidatëve të tjerë”, ajo është e gatshme t’ua ofrojë nënshkrimet partive të tjera për kandidatë tjerë.

“Presim që nesër gjatë ditës, edhe Partia Demokratike e Kosovës edhe Lidhja Demokratike e Kosovës t’i paraqesin kandidatët e tyre”, tha Nagavci për mediat.

Kandidatura e Konjufcës

Konjufca është kandidati i vetëm i propozuar deri më tani, teksa po afrohet afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Duke e bërë të ditur kandidaturën, LVV-ja tha në Facebook se si subjekt politik "është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara".

"Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme", tha partia në pushtet.

Por, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha në pasditen e së mërkurës se për ta thirrur në seancë për zgjedhjen e presidentit, nevojiten të paktën dy kandidatë në garë.

“Derisa nuk kemi së paku dy kandidatë që nuk kanë siguruar 30 nënshkrime për garën për president, unë nuk mund të thërrasë seancën ”, tha Haxhiu.

Sipas Haxhiut kanë mbetur edhe “30 orë kohë” deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.

Në nenin e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit thuhet se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars, para se Vjosa Osmani ta mbyllë mandatin e saj më 4 prill.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë se edhe nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin deri më 5 mars, vendi nuk do të përballet me zgjedhje.

Sipas tij, nëse nuk përmbushet ky afat 30-ditor, bëhet shkelje kushtetuese, por nuk ka pasojë juridike sikurse është shkuarja në zgjedhje. Miftaraj thotë se nuk ekziston një nen ku mund të bazohej dekreti për shpërndarjen e Kuvendit.

Si reaguan partitë tjera për emrin e Konjufcës?

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), partia më e madhe opozitare në vend, deputetja Vlora Çitaku tha se "tashmë është e qartë: Albin Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total".

Çitaku shkroi në Facebook se "në kohën kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për maturi, unitet dhe përgjegjësi shtetërore, ai me vetëdije po e shtyn vendin drejt një krize të re politike".

Burime brenda PDK-së thanë për Radion Evropa e Lirë se deputetët e kësaj partie nuk shkojnë fare në seancë "derisa ka kandidatë partiakë pa marrëveshje politike".

Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) tha në Facebook se “qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi".

Sipas LDK-së, për shkak të qasjes “së papërgjegjshme politike të VV-së, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja”.

Pse LVV-ja nuk e kandidoi Osmanin?

Kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pyetur nga gazetarët më 2 mars pse nuk po e propozon Osmanin, ai ka lënë të kuptohet se ajo nuk gëzon mbështetje të gjerë, duke thënë se "ne duhet t'i kemi 80 veta që qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht".

"Prioritet absolut e kemi shmangien e zgjedhjeve të reja, duhet të sigurohemi që jo t'i kemi 80, por 84 apo 85", tha Kurti.

Prej ditësh, në media janë përmendur emra të ndryshëm si kandidatë të mundshëm, të cilëve më 4 mars është shtuar edhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.

Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.

Zhvillimet e sotme pasojnë një sërë takimesh të ditëve të fundit mes kryeministrit Kurti dhe liderëve të partive opozitare, si Bedri Hamza i PDK-së dhe dy takime të njëpasnjëshme të hënën dhe të martën me Lumir Abdixhikun e LDK-së.

Takimet përfunduan pa ndonjë marrëveshje konkrete dhe pa konsensus mes palëve për emrin e kandidatit për president./ REL