TIRANË, 13 Maj /ATSH-Gjergji Mima/ - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, përuruan pasditen e sotme nisjen e punimeve në xhaminë e Namazgjasë.
Presidenti Nishani në fjalën e tij u shpreh se ndihet i nderuar që sot përurohet nisja e punimeve të këtij projekti të madh.
Teksa falënderoi për praninë e tij, homologun turk, Recep Tayyip Erdogan, për ardhjen në vendin tonë, si mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, Presidenti Nishani theksoi se ndërtimi i kësaj xhamie do të zgjidhë shumë probleme me të cilat hasen sot besimtarët myslimanë shqiptarë.
"Ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe ndihmën e pakursyer për ndërtimin e këtij kulti kaq të nevojshëm për besimtarët myslimanë shqiptarë. Diktatori Enver Hoxha persekutoi besimtarë myslimanë. Në këtë vend, shqiptarët i drejtoheshin zotit, në heshtje gjatë ditëve të egra, ndaj kuleteve shqiptare.", tha Nishani.
Presidenti Nishani, risolli në vëmendje vuajtjet e besimtarëve myslimanë dhe jo vetëm gjatë regjistrimit të egër të diktaturës komuniste, ndërsa theksoi se pavarësisht besimit që i përkisnin, ata vendosën të bashkëjetonin mes tyre në qeli.
"Jam tepër i lumtur dhe i nderuar zoti president që bashkë me ju finalizojmë fillimin e punimeve për besimtarët myslimanë shqiptarë. Shqipëria është një model i bashkëjetesës shqiptare. Jo vetëm ne gëzojmë dhe respektojmë në liri besimin e njëri-tjetrin, por dhe gjatë periudhës komuniste, ku pjesëtarë nga të gjitha fetë u persekutuan, shumë prej tyre shkuan drejt kuadrave të pushkatimit, apo ndanë qelitë, së bashku, pavarësisht fesë që i takonin", tha Nishani.
Ndërsa Presidenti i Turqisë, Erdogan, uroi që punimet për Xhaminë e Namazgjasë të përfundojnë sa më parë. "I lutemi Zotit që kjo xhami të përfundojë sa më shpejt. Dëshirojmë që të gjitha faljet që do të bëhen në këtë foltore ti pranohen nga Zoti", u shpreh presidenti turk.
"Kjo xhami që do t'i shërbejë të gjithë Tiranës, është një punë mjaft e mirë e vakëfit të çështjeve fetare të Turqisë dhe dëshiroj t'i falenderoj ata sot", tha Erdogan.
"Kjo xhami, theksoi Presidenti i Turqisë, do të ndërtohet me kontributin dhe ndihmat e të gjithë shtetasve tanë në Turqi. Kjo xhami do të jetë një simbol mjaft i qartë dhe kuptim plotë i marrëdhënieve të mira mes qytetarëve tanë".
Presidenti turk, Erdogan tha se në Turqi janë krijuar struktura paralele që konsiderohen organizatë terroriste për shtetin turk dhe se kjo organizatë ka veprimtari edhe në Shqipëri. Ai tha se për këtë çështje ka diskutuar edhe me Nishanin dhe Ramën dhe qëndrimi duhet të jetë i qartë.
"Ju jeni në dijeni që në vendin tonë po luftojmë kundër një strukture paralele që është krijuar. Ne e konsiderojmë zyrtarisht atë si një organizatë terroriste që kërcënon vendin tonë, popullin tonë. Luftën kundër kësaj organizate do ta vazhdojmë pa ndërprerje. Unë e di që kjo strukturë ka veprimtarinë edhe në Shqipëri. Unë me vëllezërit e mi të vyer, zotin Nishani dhe zotin Rama e trajtova këtë çështje dhe kam bindjen që ata do të bëjnë atë që duhet", tha Erdogan.
Erdogan shprehu bindjen e plotë se institucionet shqiptare nuk do të tolerojnë këtë organizatë dhe anëtarët e saj. "Turqia me kryesinë e çështjeve fetare dhe me institucionet e tjera është e aftë të sigurojë të gjitha ato shërbime që kjo organizatë ka bërë këtu në Shqipëri. Për këtë çështje duhet të jemi të qartë, duhet ta kemi të qartë", deklaroi Erdogan. /a.ke/









