Për 466 të burgosurit që përfitojnë liri të menjëhershme nga amnistia penale e miratuar në Kuvend 18 qershorin e kaluar, tashmë do të duhen edhe pak javë për të dalë nga qelia. Ligji ka marrë këtë të martë edhe firmën e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Me këtë dekretim ligji botohet menjëherë në fletoren zyrtare dhe hyn në fuqi pas 15 ditësh.

Mesi i korrikut do të gjejë në shtëpi të paktën 466 të dënuar, ndërsa 869 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Mes atyre që do të lirohen janë 11 gra dhe 1 i mitur, ndërsa 8 gra të tjera dhe 1 tjetër i mitur, përfitojnë ulje dënimi.

Sipas ligjit të miratuar me votën e 84 deputetëve, 81 ligjvënës socialistë dhe tre të PSD, do të përfitojnë të gjithë ata që kanë marrë një vendim të formës së prerë deri me 31 maj të këtij viti, përfshirë edhe nëse vendimi i Apelit nuk është zbardhur ende.

Liri do të përfitojnë burrat e dënuar me burgim deri në 3 vjet ose me dënime më të lehta gjobë, apo dënime të tjera alternative, gratë e dënuara me burgim deri në 4 vjet ose me dënime më të lehta. Po ashtu lirohen burrat që janë aktualisht në burg dhe u kanë mbetur për të vuajtur deri në 3 vjet dënim si dhe gratë të cilave u kanë mbetur për të vuajtur deri në 4 vjet dënim.

Një tjetër kriter përfitues është dhe mosha. Burrat mbi 60 vjeç, gratë mbi 50 vjeç dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç kur kanë kryer veprën penale, pavarësisht dënimit, por jo kur ndodhen në burg për vepra të rënda që përjashtohen nga amnistia.

Jashtë amnistisë mbeten të dënuarit për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre vrasjet me dashje dhe krimet kundër jetës, krimet kundër njerëzimit, përdhunimet dhe krimet seksuale, trafikimi i qenieve njerëzore, dhe shumë vepra të tjera të rënda. Gjithashtu nuk do të përfitojnë personat që i janë shmangur drejtësisë, pra ata që janë fshehur, arratisur ose kanë shmangur ekzekutimin e vendimit penal.

Të gjitha veprat që bien nën juridiksionin e SPAK, dhe të gjithë personat që kanë një vendim nga GJKKO nuk do të mund të përfitojnë pavarësisht për çfarë janë dënuar.

Projektligji parashikon edhe mijëra përfitues të tjerë, të cilëve u falet ndjekja penale për disa kundërvajtje dhe vepra me rrezikshmëri të ulët, ndërsa procedurat konkrete do të zbatohen nga gjykatat dhe prokuroritë pas hyrjes në fuqi të ligjit.