Presidenti Bajram Begaj, përkujtoi sot 582-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, dhe prijësin e saj, heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, duke risjellë në vëmendje se shqiptarët vepruan si një trup i vetëm dhe u bënë pjesë e historisë evropiane të qëndresës, dinjitetit dhe lirisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Begaj nënvizon se Besëlidhja e Lezhës mbetet një standard i sjelljes politike dhe institucionale.
"Besëlidhja e Lezhës është një moment i rëndësishëm historik ku triumfoi bashkimi mbi përçarjen, përgjegjësia mbi ambicien personale, interesi i përbashkët mbi interesin individual.
Sot, 582 vite më pas, ajo mbetet një standard sjelljeje politike dhe institucionale. Një kujtesë se forca jonë si komb nuk ka qëndruar vetëm në trimëri, por në bashkërendim, vizion dhe udhëheqje me përgjegjësi.
Nën frymën e vizionit të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, shqiptarët vepruan si një trup i vetëm dhe u bënë pjesë e historisë evropiane të qëndresës, dinjitetit dhe lirisë", shkruan Begaj në rrjetet sociale.
E mbajtur në katedralen e ‘Shën Kollit’ në Lezhë më 2 mars 1444, Besëlidhja e Lezhës ishte një aleancë ushtarake mes princave arbërorë të kohës me qëllim formimin e një boshti të fortë kundër perandorisë osmane që kërcënonte ekzistencën e shqiptarëve.
Në Kuvendin e Lezhës u mblodhën principata shqiptare nga veriu në jug, ku më të rëndësishmet ishin Arianitasit, Dukagjinasit, Balshajt dhe Topiat, ndërsa nga pikëpamja ballkanike në të mori pjesë dhe princi i Malit të Zi. Kuvendi vendosi komandant të përgjithshëm të Lidhjes Gjergj Kastriotin Skënderbeun, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak.
Që prej këtij bashkimi udhëheqësi legjendar rriti rezistencën e ushtrisë së tij dhe drejtoi luftën për 25 vjet me radhë kundër pushtimit otoman. Kuvendi realizoi Besëlidhjen e madhe shqiptare, që i dha jetë shtetit më të fuqishëm mesjetar të Arbërit, ku u farkëtua shpirti i arbërve dhe identiteti ynë kombëtar .
Komente










Po 2 Marsi duhet të jetë FESTA MBARËKOMBËTARE E TË GJITHË ARBËRORËVE kudo janë...,si Pikënisje e Gurthemel i Bashkimit Kombëtar!,
Përgjigju