Presidenti Biden nderon 20 amerikanë me Medaljen Presidenciale të Qytetarisë, mes tyre ata që hetuan Trump për sulmin ndaj Kapitolit

Presidenti Biden nderon 20 amerikanë me Medaljen Presidenciale të Qytetarisë, mes tyre ata që hetuan Trump për sulmin ndaj Kapitolit

Bennie Thompson dhe Elizabeth Cheney

Presidenti amerikan Joe Biden do t'u japë 20 amerikanëve nderimin e dytë më të lartë civil të vendit në një ceremoni që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë të enjten.

Në këtë grup përfshihen ligjvënësi Bennie Thompson dhe ish-ligjvënësja republikane Elizabeth Cheney, të cilët drejtuan hetimet e Kongresit për sulmin e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol. Sulmi i 6 janarit u bë nga një turmë e mbështetësve të zotit Donald Trump në përpjekje për të mos lejuar certifikimin e fitores së zotit Biden në zgjedhjet e vitit 2020.

Presidenti i zgjedhur Trump, që fitoi zgjedhjet e vitit 2024 për një mandat të ri që fillon më 20 janar, ka thënë se zoti Thompson dhe zonja Cheney duhet të burgosen.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë për të nderuarit e së enjtes thekson se republikania Cheney, “ngriti zërin e saj dhe u bë bashkë me palën kundërshtare në politikë për të mbrojtur vendin tonë dhe idealet mbi të cilat ne qëndrojmë: Lirinë. Dinjitetin dhe Integritetin”.

E krijuar në vitin 1969, Medalja Presidenciale e Qytetarisë nderon shtetasit amerikanë“që kanë kryer vepra shembullore për vendin e tyre ose bashkëqytetarët e tyre”.

“Presidenti Biden beson se këta amerikanë kanë të përbashkët integritetin dhe përkushtimin e tyre për t'u shërbyer të tjerëve. Vendi ynë është më i mirë për shkak të përkushtimit dhe sakrificës së tyre”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Në mesin e atyre që do të nderohen janë edhe Mary Bonauto dhe Evan Wolfson, të cilët u angazhuan për legalizimin e së drejtës për martesë mes personave të së njëjtës gjini në Shtetet e Bashkuara.

Frank Butler është një tjetër fitues i medaljes për përpjekjet e tij për të përmirësuar teknikat e ndihmës së shpejtë për ushtarët e plagosur në fushën e betejës.

Mitsuye Endo Tsutsumi do të nderohet për padinë e saj të suksesshme ligjore kundër burgosjes së japonezëve amerikanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti Biden do të nderojë edhe zonjën Eleanor Smeal për punën e saj në udhëheqjen e protestave për të drejtat e grave dhe për paga të barabarta për gratë.

Medalje do t’u jepen edhe ish ligjvënëses Carolyn McCarthy, si dhe një grupi ish-senatorësh: Bill Bradley, Chris Dodd, Nancy Kassebaum dhe Ted Kaufman.

Në mesin e të nderuarve përfshihen edhe Diane Carlson Evans, themeluese e Fondacionit të Përkujtimit të Grave të Vietnamit, korrespondentin nga zonat e luftës Joseph Galloway, avokatin e të drejtave civile Louis Redding dhe fotografin Bobby Sager.

Në këtë grup janë edhe gjykatësi Collins Seitz, themeluesi i Universitetit Fulbright të Vietnamit, Thomas Vallely, aktivisti i studimeve mbi kancerin e gjirit, Frances Visco dhe themeluesja e Fakulteti të Artit dhe Dizajnit në Savannah, Paula Wallace./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Iraku drejt legalizimit të abuzimit seksual ndaj të miturve, parlamenti diskuton ligjin që mund të detyrojë 9-vjeçaret të martohen

Iraku drejt legalizimit të abuzimit seksual ndaj të miturve, parlamenti diskuton ligjin që mund të detyrojë 9-vjeçaret të martohen