Presidenti austriak vizitë në Tiranë! Begaj: Folëm për marrëveshjen e Ohrit, nuk mbështes Republikën Srpska në Kosovë! Van der Bellen: Shqipëria në rrugën drejt unionit

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen ndodhet në Tiranë për vizitë zyrtare. Pas pritjes në presidencë, presidenti Begaj dhe homologu vijuan me konferencën për mediat, ku ndër të tjera vemendje të veçantë mori dhe marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe serbisë.

Begaj u shpreh se folën për marrëveshjen e Ohrit mes Kosovës e Serbisë dhe theksoi se nuk e mbështet Republikën Srpska ‘një shtet brenda shtetit’ në Kosovë.

"Në asnjë rast nuk do të pranoja që të kishte Republikë Srpska në Kosovë dhe mesa di nuk është mbështetur as nga SHBA. Është e rëndësishme të vendoset paqe mes Kosovës dhe Serbisë dhe për të punuar fort që rajoni të integrohet në BE”, tha Begaj.

Po ashtu sqaroi se Austria dhe Shqipëria mbeten partnerë të një rëndësie të veçantë. Gjatë bisedës, në fokus ishte dhe integrimi i Shqipërisë në BE. Sipas Begaj, Shqipëria po punon për reformën në drejtësi në mënyrë që të përparojnë në rrugën drejt unionit. Edhe për Van der Bellen, i cili u shpreh se Shqipëria ka bërë përparim në rrugëtimin europian, reforma në drejtësi i përket një rëndësie të veçantë. Ai u shpreh se Shqipëria dhe Austria do të vijojnë edhe bashkëpunimin ekonomik. Në këtë vizitë zyrtare, e kanë shoqëruar edhe 20 biznese austriake që do të prezantojnë ekspertizën e tyre në interes të përbashkët të 2 vendeve. 

Për Kosovën, tha se e mbështet dialogun me Serbinë dhe theksoi se duhet të arrihet medoeomos marrëveshja që të ecin në rrugën e integrimit në BE.

“Dialogu është shumë i vështirë por janë të ndërgjegjshëm që pa marrëveshje, të dy vende s’do kenë të ardhme drejt BE”, tha presidenti austriak.

Me rastin e vizitës së presidentit austriak, në orën 13:00 u mblodh edhe Kuvendi për një seancë të posaçme, ku mbajti fjalën përshëndetëse dhe i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejt forcave politike në vend që të bashkëpunojnë më shumë së bashku dhe të mos marrin vendime të nxituara. Më herët presidenti ka zhvilluar një takim edhe më kryeministrin Edi Rama, ndërsa do të vijojë me një serë takimesh deri në orët e vona të mbrëmjes.

Përgjatë vizitës shtetërore Presidenti Van der Bellen do të marrë pjesë së bashku me Presidentin Begaj në një forum ekonomik me përfaqësues të biznesit austriak në Shqipëri.

Rreth orës 17:30 me prezencë të Presidentit të Austrisë, Alexander Van der Bellen, Ministres së Drejtësisë, Alma Zadić dhe Ministrit të Drejtësisë të Shqipërisë Ulsi Manja, Agjencia Austriake e Zhvillimit (ADA) do të realizojë një tryezë diskutimi me institucionet që kanë përfituar projekte në fushën e drejtësisë. Në axhendë është parashikuar nënshkrimi i “Deklaratës të Përbashkët” nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Ministri i Drejtësisë së Austrisë, Alma Zadić në prezencë të Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Presidentit të Austrisë në Presidencë.

Vizita është tregues i mbështetjes së Austrisë për Shqipërinë por edhe ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian. Kjo vizitë vjen 9 vjet pas asaj së ish-Presidentit austriak Heinz Fischer në Tiranë.

Pyetjet përgjigje për Presidentin Begaj në konferencën për shtyp 

BE-ja është duke i mëshuar shumë reformave sidomos në lidhje me shtetin e së drejtës, por ka edhe vende të BE-së të cilat nuk është se po hedhin shumë hapa në këtë drejtim. A mendoni se ju në Shqipëri po trajtoheni paksa keq në këtë drejtim?
Presidenti Begaj- Nuk mund të komentoj nëse ka kritika brenda UNION-it për vende të caktuara. Natyrisht ky proces i anëtarësimit në BE ka rregulla të përcaktuara të cilat kërkojnë forcimin e shtetit ligjor të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. Është e drejta e tyre që këto kërkesa të jenë themelore për t’u zbatuar dhe besoj është detyrë e jona që duhet të gjitha këto kërkesa t’i plotësojmë, që këtë proces anëtarësimi  në BE ta bëjmë në rrugë sa më të shkurtër. Kemi hapur konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, kemi kaluar me sukses klaustrin e parë. Besoj sepse jemi në rrugë të mbarë dhe gjatë këtij viti besoj do të bëhet konferenca e dytë ndërqeveritare me BE-në. Natyrisht bie dakord me Presidentin Van der Bellen  që disa reformat të cilat kërkojnë të bëhen në vend duhet të bëhen me dakordësinë e BE-së, dhe ça është më e rëndësishme unifikimi dhe bërja e ligjeve sipas standardeve të BE-së sepse ky është destinacioni ynë pa kthim.

Kam një pyetje për zotin Begaj si fillim. Dje ka ardhur zoti Kurti për vizitë në Tiranë. Pyetja e parë, sa mendoni ju se ky konflikt midis vendeve fqinje e rëndon pozitën e rajonit dhe  zoti Begaj ju a mendoni  se një Republika Srpska do ishte zgjidhja e duhur?
Është e vërtetë që dje kemi pasur një takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, zotin Albin Kurti. Për ne Kosova është e një rëndësie prioritare. Kemi diskutuar gjerësisht rreth procesit të marrëveshjes së arritur në Bashkimin Evropian dhe aneksit të kësaj marrëveshje në Ohër. Është një dakordësim publik në fakt i përshëndetur nga ana ime sepse fqinjin themi ne shqiptarët nuk e zgjedhim ne, fqinji është aty, dhe nëse kemi mosmarrëveshje me dikë mosmarrëveshjet zgjidhen nëpërmjet dialogut. Jemi plotësisht të bindur që dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Në asnjë rast, në asnjë rrethanë, si President i Republikës së Shqipërisë, nuk do të pranoja që të kishte një Republikë Srpska në Kosovë dhe me sa di nuk është mbështetur as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët janë një partner strategjik i yni. Besoj se në kuadrin e asaj marrëveshje ku në rrethanat e një vetëmenaxhimi me të drejtat komunitare sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës besoj do të jetë zgjidhja e duhur. Është e rëndësishme që të vendoset një paqe midis Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për respektim të minioriteteve dhe për të punuar fort që rajoni të integrohet në Bashkimin Europian dhe të këtë më shumë prosperitet për njerëzit që jetojnë në rajon.

Zoti President, Shqipërinë gjatë muajve të fundit e kanë vizituar dhe kryetarë të tjerë të lartë shtetesh, të vendeve të BE, si Presidenti i Gjermanisë dhe Presidenti i Italisë.  A është kjo një vëmendje e shtuar ndaj procesit integrues të Shqipërisë, apo këto vende të rëndësishme të BE-së kanë një shqetësim konkret ndaj Shqipërisë apo vendeve të rajonit?
Është e vërtetë që muajt e fundit Shqipëria është vizituar nga krerë shtetesh të disa vendeve evropiane. Prej kohësh Shqipëria punon për të forcuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke realizuar dhe reforma të guximshme në të gjitha fushat. Natyrisht që roli i Shqipërisë ndërkombëtarisht është rritur ndjeshëm, dhe ky kontribut i Shqipërisë ndërkombëtarësisht është i vlerësuar, si në OSBE, si në Këshillin e Sigurimit, si në NATO, duke u konsideruar si një faktor për paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Lufta në Ukrainë ka ndryshuar disi qasjen ndaj sfidave të sigurisë dhe besoj shumë që kemi një rritje të fokusimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Por unë besoj që vizita e mikut tim, Presidentit Van der Bellen, dhe homologëve të tjerë evropianë, të Italisë dhe Gjermanisë, është mbështetje për shqiptarët, është mbështetje për projektin e shqiptarëve, për t’ju bashkuar familjes së madhe evropiane, familje së cilës i përkasim jo vetëm gjeografikisht, por edhe për vlerat që ne mbartim.

Përtej marrëdhënieve mjaft të mira historike dhe politike mes dy vendeve, cili është vlerësimi juaj lidhur me një intensifikim në të ardhmen të bashkëpunimit ekonomik dhe si do ta vlerësonit potencialin e investimeve austriake në Shqipëri?
Bie dakord me Presidentin Van der Bellen. Është e saktë ajo që ju thate, që përvec lidhjeve të hershme historike dhe miqësore, gjatë 3 dekadave të fundit, është rritur lidhja ekonomike midis Shqipërisë dhe Austrisë. Investimet e para Austriake, janë të rëndësishme dhe të realizuara me sukses. Është hoteleri-turizmi “Rogner” që e përmendi Presidenti Van der Bellen, ndërtuar 20 vjet më parë, janë në fushën e sigurimeve dhe sektorin bankar, si dhe në prodhimin e energjisë elektrike. Të gjitha këto investime në fakt u realizuan në atë kohë kur pakkush e mendonte Shqipërinë të investonte, dhe sidomos në këta sektorë që dukeshin të pazhvilluar ose ishin të pazhvilluar në atë kohë. Por në fakt këto investime austriake rezultuan investime të suksesshme të cilat u bënë si një sinjal pozitiv dhe garanci për investime të tjera të kryera nga Austria dhe nga vendasit, nga shqiptarët. Besoj se shkëmbimi tregtar midis vendeve është modest, ka potenciale për t’u zhvilluar dhe unë besoj fort se kjo vizitë e Presidentit Van der Bellen në Shqipëri është vlerësim dhe mbështetje për këtë potencial për t’u zhvilluar dhe natyrisht forumi ekonomik që ne do të shkojmë, që do të hapim sot mbasdite, është një vend i duhur që këtë potencial ta realizojmë dhe ta konkretizojmë me zhvillime ekonomike midis dy vendeve. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:57
Nikolla pret presidentin austriak! Van der Bellen: Shqipëria ka bërë progres në rrugëtimin europian

Presidentin Federal të Austrisë. Alexander Van der Bellen: Vlerësoj mbështetjen popullore për integrimin evropian! Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot në një takim të ngrohtë e miqësor  Presidentin Federal të Austrisë, Alexander Van der Bellen, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Kryetarja Nikolla e falënderoi Presidentin Alexander Van der Bellen për marrëdhëniet të shkëlqyera e dinamike si edhe bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve tona.

“Me Austrinë kemi një bashkëpunimin intensiv parlamentar dhe një  Marrëveshje Bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Këshillit Kombëtar, për ngritjen në Kuvendin e Shqipërisë të Punishtes së Demokracisë, e cila po zbatohet dhe po krijon një model shume pozitiv për edukimin demokratik e qytetar të rinisë.”, theksoi  Nikolla.

Kryetarja Nikolla shprehu mirënjohjen ndaj Austrisë  për rolin shumë të rëndësishëm në suksesin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe bindjen se kjo mbështetje do të vijojë edhe gjatë negociatave. Nikolla shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen në procesin e reformave, në veçanti të reformës në drejtësi, dhe vullnetin e Shqipërisë për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat e ekonomisë, rendit publik, luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, krimit kibernetik, ndihmën ndaj agjencive ligjzbatuese, arsimit e formimit profesional etj.

Nikolla i shprehu Presidentin Alexander Van der Bellen kërkesën për mbështetjen e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Presidenti Alexander Van der Bellen falënderoi Kryetaren Lindita Nikolla për takimin dhe vlerësoi progresin e Shqipërisë drejt BE-së si edhe mbështetjen popullore për integrimin evropian, arritjet e reformave dhe mundësitë e gjera të bashkëpunimit dypalësh në fusha si bujqësia, arsimi etj. Presidenti Alexander Van der Bellen shprehu mbështetjen e Austrisë për dialogun Kosovë-Serbi dhe zbatimin e Planit Evropian si e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe stabilitetin në rajon.

Ora 12:31
Asociacioni? Begaj: Nuk e mbështes Republikën Srpska në Kosovë! Presidenti austriak: Pa marrëveshje, Beogradi dhe Prishtina s'kanë të ardhme drejt BE

 

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka komentuar takimin me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i cili ishte dje për vizitë në Tiranë ku diskutoi marrëveshjen në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Begaj thekson rëndësinë e vendosjes së paqes ndërsa shprehet se nuk do e pranonte për asnjë arsye ‘një shtet serb’ brenda Kosovës.

“Për ne Kosova është e një rëndësie prioritare. Diskutuam rreth procesit të marrëveshjes dhe aneksit të saj në Ohër. Është përshëndetur nga ana ime se fqinjin nuk e zgjedhim ne, është aty dhe mosmarrëveshjet zgjidhen përmes dialogut. Dialogu është e vetmja rrugë. Në asnjë rast nuk do të pranoja që të kishte Republikë Srpska në Kosovë dhe mesa di nuk është mbështetur as nga SHBA. Është e rëndësishme të vendoset paqe mes Kosovës dhe Serbisë dhe për të punuar fort që rajoni të integrohet në BE”, tha Begaj.

Ndërsa presidenti austriak tha se dialogu është i vështirë por i rëndësishëm që të arrijnë marrëveshje për të ecur në të ardhmen drejt BE.

“Siç e dini, në fakt u bë një lloj marrëveshje por në mungesë të një nënshkrimi zyrtar nga pjesëmarrësit. Megjithatë kjo patjetër që është një afrim në këtë proces, i cili s’duhet nënvlerësuar. E kam parë nga afër se Vuçiç dhe presidentin e atëhershëm të Kosovës në Austri që kanë bërë biseda dhe prej asaj kohe kishte goxha përparësi që folën së bashku, ndonëse nuk arritën rezultate. Dialogu është shumë i vështirë por janë të ndërgjegjshëm që pa marrëveshje, të dy vende s’do kenë të ardhme drejt BE”, tha presidenti austriak.

Ora 12:27
Presidenti i Austrisë në Tiranë: Shqipëria në rrugën e duhur drejt unionit! Begaj: Të ndjekë udhëzimin e BE për pasaportat e arta

 

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen në konferencën me Begajn ka folur për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Presidenti austriak tha s enuk sheh asnjë problem në rrugëtimin e Shqipërisë pasi është në rrugën e duhur për plotësimin e reformave. Ai u ndal edhe tek pasaportat e arta, nismë që tashmë është pezulluar me dakordësinë e BE deri në një vendim nga gjykata. Presidenti austriak tha se shpreson që Shqipëria të ndjekë udhëzimet e të drejtës europiane.  

“Procesi ia anëtarësimit është shumë i gjatë. Austria në atë kohë ka pasur negociata të shpejta, katër apo 5 vjet. S ai përket Shqipërisë kemi kohë që i mbështesim, duhet ti mbështesim edhe më shpejt. Më duket interesante që ministri i jashtëm, duhet për tu marrë shembull. Thotë ose je brenda ose jashtë. Ose je anëtar i unionit, ose nuk je. Një temë kritike është Kosova dhe Serbia pas eksperiencës me Qipron. BE do ketë rregulla të qarta. Këtu kemi shpresë për rezultate të mira pas bisedimeve të mira. Më bie ndërmend sa i përket Shqipërisë vetëm çështja e pasaportave të arta, që qeveria ka vendosur ta lërë pezull. Nuk është një proces për të cilin është marrë një vendim. Mendoj që Shqipëria do ndjekë udhëzimet e të drejtës europiane.  

Nga tjetër Begaj tha se Shqipëria ka detyrimin të plotësojë të gjitha reformat .

“Duhet të them që Shqipëria kanë ëndërr t’i bashkohen BE. Ky proces ka rregulla të përcaktuara që kërkojnë forcimin e shtetit ligjor, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Është e drejtë e tyre që këto të drejta të jenë themelore për tu bazuar dhe është detyra jonë që ti plotësojmë”, tha Begaj.

Ora 12:17
Presidenti i Austrisë: Do rrisim bashkëpunimin ekonomik, 20 biznese prezantojnë ekspertizën! Inkurajojmë Shqipërinë të zhvillojnë reformat  

 

Presidenti i Austrisë Alexander Van der Bellen ka zbuluar detaje rreth takimit me presidentin Bajram Begaj duke thënë se në fokus ishte reforma në drejtësi dhe bashkëpunimi ekonomik. Për këtë të fundit shprehet se 20 biznese ndodhen në Shqipëri për të prezantuar ekspertizën e tyre. Gjithashtu shprehu mbështetje për procesin e integrimit dhe për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem në Shqipëri dhe ju falënderoj president për këtë miqësi kaq të madhe shqiptare. Vizita ime sot është në kuadrin e një tradite të madhe të miqësisë Shqipëri-Austri. Diskutuam me Begajn se si mund të rrisim më shumë bashkëpunimin mes 2 vendeve. Agjencia austriake për zhvillim është prej 3 vitesh aktive në Shqipëri dhe që ka ndikuar në reformën në drejtësi.

2 ministrat e drejtësisë po nënshkruajnë deklaratë për forcimin e shtetit të së drejtës. Kemi bashkëpunim dhe në fushën e arsimit. Shkolla austriake në Shkodër gëzon reputacion shumë të mirë. Është një HTL me pikë të fortë informatikën dhe shkencat e komunikimit dhe s’është për tu habitur që është pranuar kjo gjë. Austria e mbështet edhe këtu Shqipërinë. Forcon ofertën me punonjës të kualifikuar që është temë në mbarë Europën. Për të intensifikuar më shumë marrëdhëniet jam i nderuar që do hapim forumin ekonomik.

Jam i lumtur që ftesës për të ardhur në Shqipëri i janë përgjigjur 20 biznese nga Austria që të prezantojnë ekspertizën e tyre në interes të përbashkët. Austria njihet si inkurajues i madh për anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Begajn e përgëzova dhe për procesin screening me BE dhe shpresojmë që të hidhen sa më shpejt hapa të mëtejshëm. Sipas metodologjisë së re të zgjerimit, fokusi është te çështjet esenciale si shteti i së drejtës, drejtësia e pavarur dhe duam të inkurajojmë Shqipërinë për të zhvilluar reformat e duhura.

Jemi shumë të lumtur që Shqipëria do të ketë kryesinë e Procesit të Berlinit këtë vit. Ne i urojmë palëve negociuese për një zgjidhje sa më të shpejtë të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, tha Van der Bellen.

Ora 12:08
Begaj me homologun austriak: Vendet tona marrëdhënie të veçantë, mirënjohje Austrisë për mbështetjen në rrugëtimin europian

 

Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar konferencë të përbashkët me homologun austriak Alexander Van der Bellen. Begaj tha se Shqipëria dhe Austria kanë një partneritet të një rëndësie të veçantë. Begaj vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa falënderoi Austrinë për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë për rrugëtimit europian.

“Biseda kishte në vëmendje çështjen e rrugëtimit evropian të Shqipërisë, i përcolla vlerësimin për gjithë mbështetjen që Austria i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin europian, mbështetja ekonomike, politike e mbështetja për reformën në drejtësi. Kjo vizitë është një dëshmi e angazhimit serioz të Austrisë së procesit integrues të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. E informova mikun për përparimin e bërë në reformat e integrimit europian dhe rezultatet konkrete në këtë drejtim. E sigurova që Shqipëria mbetet dedikuar në të gjitha nivelet për rezultate të reformën në drejtësi. E falënderova për mbështetjen e plotë që Austria i ka dhënë Kosovës, liberalizmin e vizave dhe dialogun Kosovë serbi. Rikonfirmuam qëndrimet e vedneve për dënimin e këtij agresioni të paprovokuar dhe mbështetjen e palëkundur ndaj popullit ukrainas dhe integritetin territorial të saj”, tha Begaj.

Ora 10:37
VIDEO/ Presidenti i Austrisë në Shqipëri, Begaj e pret me ceremoni shtetërore

 

Presidenti i Austrisë ka mbërritur në Shqipëri për vizitën zyrtare. Bajram Begaj e ka pritur homologun austriak me ceremoni shtetërore.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës