Kombëtarja e Turqisë në futboll po përgatitet për sfidën vendimtare të play-off-it të Kupës së Botës, ku do të përballet me Kosovën më 31 mars në Prishtinë.
Në prag të kësaj ndeshje jetike, në stërvitjen e kombëtares turke ka qenë i pranishëm edhe presidenti i federatës se futbollit në këtë vend, Ibrahim Haciosmanoglu, i cili ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të motivuar futbollistët.
Sipas raportimeve të mediave turke, ai u ka premtuar lojtarëve një shpërblim luksoz në rast kualifikimi, nga një vilë në Bodrum për secilin.
“Kemi 24 vite që nuk shkojmë në Botëror. Do të paguaj nga xhepi im për vilat e lojtarëve në Bodrum. Nëse kualifikohemi për Kupën e Botës, do t'ua japim këto shtëpi lojtarëve tanë”, është shprehur kreu i federatës, duke rritur edhe më shumë motivimin para finales. Turqia nuk merr pjesë në grupet e Kupës së Botës që nga Botërori 2002 ku doli e treta në botë, rezultati më i mirë në histori. Përballja ndaj Kosovës pritet me interes të madh, pasi të dyja skuadrat synojnë një vend në Kupën e Botës.
Qeveria e Kosovës miratoi sot 500 mijë euro shpërblim për futbollistët dhe stafin e 'Dardanëve' pas fitores në Sllovaki, ndërsa kryeministri Albin Kurti u zotua se në rast të fitores kundër Turqisë dhe kalimit historik në grupet e Kupës së Botës 2026, do ketë një tjetër shpërblim prej 1 milion eurosh për futbollistët dhe stafin.
Të martën në orën 20:45 në stadiumin 'Fadil Vokrri' të Prishtinës luhet ndeshja finale që të dërgon në Kupën e Botës 2026.
Komente






