Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, komentoi sot blerjen e raketave hipersonike nga Serbia për ushtrinë e saj, si edhe deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiç për rrezikun nga një aleancë ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

“Blerja e raketave është një vendim sovran i tyre. Por duhet të pranoj se nuk e kuptoj çfarë duan të arrijnë me këtë lloj armatimi. Ata po shpenzojnë shumë dhe me një ritëm që nuk është shumë i qartë në buxhetin e tyre. Zoti e di nga vijnë fondet dhe nëse gjithçka është paguar. Dihet që Kina u ka shitur disa sisteme. Gjithashtu kanë blerë nga Rusia sisteme për luftë elektronike, të cilat janë shumë të avancuara”, tha Milanoviç.

Ai shtroi pyetjen pse Serbia po vepron në këtë mënyrë dhe përmendi edhe përvojën historike.

“Që ata duan të kenë një mbrojtje të fortë është e kuptueshme. Kanë përvoja historike të ndryshme, janë një popull tjetër, një komb tjetër. Por përveç armëve mbrojtëse, ata po pajisen edhe me armë sulmuese. Kjo më shqetëson. Megjithatë, Kroacia është anëtare e NATO-s dhe e BE-së, ndërsa Serbia është e rrethuar nga vende të NATO-s”, tha ai.

Sipas Milanoviçit, presidenti serb Vuçiç po bën deklarata të pazakonta.

“Para gjashtë muajsh në Shqipëri, në një bisedë private dhe në prani të disa dëshmitarëve, i kam thënë Vuçiçit se memorandumi për bashkëpunim ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, i nënshkruar nga ministrat, nuk është marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk përbën një aleancë ushtarake. Por ai përsëri doli para dy ditësh dhe foli për një plan të Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë për të sulmuar Serbinë”, deklaroi Milanoviç.

Ai shtoi se kjo është e pabesueshme, pasi sipas tij Kroacia nuk ka as kapacitetet për një gjë të tillë.

“Si dhe me çfarë do ta sulmonim Serbinë? Me 17 mijë ushtarë, nga të cilët vetëm 14 mijë janë aktivë? Ne nuk kemi ushtri për diçka të tillë. Dhe pastaj më akuzon se po planifikoj një sulm të paprovokuar ndaj Serbisë. Kjo nuk është mirë të dëgjohet. Përveçse është absurde”, tha presidenti kroat.

Vuçiç: Do të mbroj paqen dhe dinjitetin e Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u përgjigj duke thënë se do të ruajë paqen dhe stabilitetin e Serbisë dhe se askush, përfshirë presidentin kroat, nuk mund t’i diktojë se çfarë duhet të thotë.

“Sot presidenti Milanoviç tha se Vuçiçi duhet të ketë kujdes çfarë thotë. Ata kanë dashur gjithmonë të na tregojnë se çfarë duhet të bëjmë dhe si duhet të sillemi. Nëse u pëlqente, ishim të mirë; nëse jo, ishim të këqij. Tani duan të na tregojnë edhe çfarë duhet të themi. Emri im është Aleksandar Vuçiç, jam president krenar i Serbisë dhe askush, as presidenti i Kroacisë, nuk do të më diktojë se çfarë të them”, tha ai gjatë një tubimi në Bajina Bashta.

Vuçiç shtoi se Serbia dëshiron paqe dhe marrëdhënie më të mira me Kroacinë.

“Unë nuk ankohem për ato që thonë për ne. Kanë bërë çdo lloj sulmi dhe fushate të pistë kundër meje dhe familjes sime. Por nëse do të na thoni të kemi kujdes çfarë themi, këtë nuk do ta pranoj. Mesazhi im për ju është që të keni kujdes çfarë bëni”, theksoi ai.

Ai shtoi se, nëse do ta kishte ditur sa shumë do t’i shqetësonte Kroacinë raketa që Serbia ka blerë, do ta kishte blerë më herët.

“Ata mund të kenë gjithçka, mund të jenë në NATO dhe të blejnë çfarë të duan, ndërsa ne duhet t’i pyesim ata çfarë mund të blejmë. Kjo është diferenca mes nesh. Ne duam një shtet për të cilin të jemi krenarë. Nuk do të sulmojmë askënd, por do të jemi gjithmonë të fortë për të penguar këdo që mendon të sulmojë Serbinë”, tha Vuçiç.