Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, i ka cilësuar “marrëzira” pretendimet se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten për të sulmuar Serbinë, duke thënë se narrativa të tilla dëmtojnë ndërtimin e marrëdhënieve normale mes fqinjëve.

Në një fjalim me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Brigadës së Tretë Gardiste të Ushtrisë Kroate “Kune”, Milanoviç tha se Kroacia nuk e sheh askënd si armik dhe synon marrëdhënie paqësore e miqësore në rajon.

“Kroacia askënd nuk e sheh si armik… pretendimet se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten ta sulmojnë Serbinë janë marrëzira. Me njerëz që flasin kështu është vështirë të ndërtohen marrëdhënie normale dhe miqësore”, deklaroi ai.

Presidenti kroat theksoi se Zagrebi synon raporte të qytetëruara me fqinjët, në dobi të ndërsjellë, duke shtuar se vendi i tij nuk ka armiq.

“Ne e dimë kush jemi, e dimë për çfarë jemi të aftë dhe duam të ndërtojmë marrëdhënie paqësore e të qytetëruara në dobi të ndërsjellë”, tha Milanoviç.

Prej disa kohësh presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka ngritur shqetësime lidhur me marrëveshjen  mes tri vendeve Shqipëri- Kosovë-Kroaci, duke e cilësuar si një një "aleancë ushtarake kundër Serbëve".

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në mars të vitit 2025, Shqipëria-Kosova-Kroacia do të bashkëpunojnë në 4 fusha kryesore: promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.