Presidenti Ilir Meta ka marrë pjesë në sesionin e Forumit IX Global të Bakusë për “Një Europë në ndryshim dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, ku ka folur kundër Ballkanit të Hapur. Meta thotë se duhet të fokusohen në zbatimin e Procesit të Berlinit dhe të mos ketë shpërqendrim me qasje alternative paralele.

“Bashkimi Europian nuk mund të jetë as më i fortë dhe as më i madh në arenën ndërkombëtare pa integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne e konsiderojmë mekanizmin e Procesit të Berlinit si katalizatorin kryesor të integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor. Ne duhet të përqendrohemi në zbatimin pa vonesë të Procesit të Berlinit dhe të mos shpërqendrohemi si dhe të mos ngatërrohemi nga qasjet alternative paralele jo gjithëpërfshirëse. Pse Procesin e Berlinit? Sepse Procesi i Berlinit mbështet krijimin e një tregu të përbashkët rajonal të bazuar në katër liri”, tha Meta.

Ndër të tjera theksoi se procesin e Berlinit e mbështesin të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Ballkanin e Hapur jo, ndonëse i vetmi lider që nuk e mbështet është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Të 6 vendet janë pjesë dhe e mbështesin plotësisht këtë proces. Vetëm disa liderë mbështesin alternativën e Ballkanit të Hapur! Procesi i Berlinit ka si pjesë të tij BE-në. Ballkani i Hapur jo! Procesi i Berlinit ka instrumente financiare për të mbështetur projektet e lidhjes. Ballkani i Hapur jo! Procesi i Berlinit fuqizon procesin e zgjerimit, duke i përshtatur reformat e kërkuara me shpërblimet financiare.

Ballkani i Hapur paraqitet si një alternativë ndaj anëtarësimit në BE, duke e tjetërsuar rajonin si një komunitet politik hibrid. Procesi i Berlinit përmban 6 vendet e Ballkanit Perëndimor në tryezën politike të Bashkimit Europian”, tha Meta.

Presidenti Meta tha se përshëndet përkushtimin e Kancelarit të ri të Gjermanisë së fundmi në rajonin tonë për përshpejtimin e Procesit të Berlinit dhe për rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, jo vetëm për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, por edhe për njohjen reciproke.