Meta kthen për rishqyrtim ligjin për pronat e shtetit: Lejon të ndodhin abuzime të mëdha, thellon konfliktin social

TIRANË- Presidenti i vendit Ilir Meta ka kthyer për shqyrtim në Parlament ligjin për pronat e paluajtshme në bregun e detit. Sipas relacionit të ligjit në fjalë thuhet se nisma është ndërmarrë për të shmangur abuzimet me pronat nga veriu në jug, problematika të mbartuara ndër vite. Ndërsa për presidentin Meta,ky ligj, nuk adreson problematikën e pronave në Shqipëri, thellon edhe më shumë konfliktin social në vend.

Me anë të këtij ligji synohet që hapësira e bregut të detit që është sipërfaqja e tokës përgjatë detit, e cila është pronë publike e patjetërsueshme, të kalojë në pronësi të shtetit. Pra pas futjes në fuqi të ligjit në bregun e detit nuk do të ketë më pronarë përveç shtetit, i cili mund të japë me qira prona, por nuk mund ti shesë ato, pasi janë hapësira të patjetërsueshme.

 Për presidentin Meta një hap i tillë është rrezik për pronën publike në fjalë.

 “Në praktikë ky ligj krijon hapësirën që të ndodhin abuzime të mëdha ashtu si deri më tani, ku për shkak të ndërhyrjeve dhe interesave të ndryshme, gjerësia dhe shtrirja e asaj që konsiderohet si “bregu i detit” të pësojë deformime të mëdha dhe jashtë realitetit, duke krijuar rrezik të shtuar për cenimin e pronës publike apo në raste të tjera, kjo pasuri arbitrarisht t’i nënshtrohet shpronësimit për interes publik”, shprehet Meta.

Po ashtu Meta vijon duke thënë se ky ligj bën një trajtim preferencial dhe jo të barabartë të individëve që gëzojnë tituj pronësie në raport me investitorët në këto zona. Shqetësimi tjetër i ngritur ka të bëjë me pronarët e ligjshëm që sipas presidentit rrezikohen nga ligji i cili synon që çdo pronë e ndërtuar në këtë sipërfaqe të marrë statusin pasuri publike e patjetërsueshme.

 Kjo nismë e iniciuar nga qeveria është depozituar në kuvend në korrik të këtij viti dhe është miratuar në po të njëjtin muaj.

Deklarata e plotë
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim ligjin nr. 111/2020 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar”.

Ky ligj, në mënyrë të pashpjeguar dhe arsyetuar, është shqyrtuar me urgjencë brenda 7 ditëve nga Kuvendi. Nisma që paraqitet si ndërhyrje në legjislacionin në fuqi për forcimin e mekanizmave ligjorë për mbrojtjen e interesit dhe pasurisë publike, në fakt rrezikon të shkaktojë një problematikë në raport me të drejtën e gëzimit dhe posedimit të pronës sipas titujve të fituar të pronësisë.

E vetmja çështje që duket se ka marrë vëmendjen më të madhe të qeverisë dhe Kuvendit është rregullimi i marrëdhënieve juridike që shteti ka lidhur apo do të mund të lidhë me persona të tretë për përdorimin e pasurisë pronë publike, tashmë edhe pa një afat të përcaktuar.

Ndërhyrjet e miratuara me ligjin nr. 111/2020, bëjnë që askush të mos jetë tashmë në gjendje të përcaktojë të paktën ligjërisht, nëse një pasuri pronë private e ndodhur në afërsi të bregdetit dhe e përfituar me një nga mënyrat e ligjshme të fitimit të pronësisë, sipas
-    ligjit nr. 7501/1911 “Për tokën”, 
-    legjislacionit për kthimin dhe kompensimin e pronës, 
-    legjislacionit të privatizimit, apo 
-    një vendimi gjyqësor,
ndodhet ose jo nën regjimin e përcaktuar si pronë publike e patjetërsueshme pjesë e “vijës bregdetare”, si dhe çfarë do të ndodhë me mënyrën e gëzimit të kësaj të drejtë pronësie mbi këtë pasuri, me të gjitha të drejtat që burojnë prej saj.

Në praktikë ky ligj krijon hapësirën që të ndodhin abuzime të mëdha ashtu si deri më tani, ku për shkak të ndërhyrjeve dhe interesave të ndryshme, gjerësia dhe shtrirja e asaj që konsiderohet si “bregu i detit” të pësojë deformime të mëdha dhe jashtë realitetit, duke krijuar rrezik të shtuar për cenimin e pronës publike apo në raste të tjera, kjo pasuri arbitrarisht t’i nënshtrohet shpronësimit për interes publik.

Mbi të gjitha, ky ligj bën një trajtim preferencial dhe jo të barabartë të subjekteve apo individëve që gëzojnë tituj pronësie apo përdorimi mbi pasuri të paluajtshme përgjatë bregdetit shqiptar, në raport me investitorët në këto zona. 

Ndërkohë që pronarët që kanë përfituar në mënyrë të ligjshme një titull pronësie me një nga mënyrat e parashikuara nga ligji, trajtohen në pasiguri të plotë për mundësinë e posedimit dhe përdorimit të pronës së tyre në të ardhmen, e cila pas ndërhyrjes me këtë ligj marrin statusin pasuri publike e patjetërsueshme; ky ligj, tashmë këto prona që i konsideron si me interes publik, bën që të ndryshojnë në fakt thelbësisht destinacioni i tyre nëpërmjet tjetërsimit pa afat në shërbim dhe për interes të enteve private, duke cenuar edhe nivelin e përdorimit masiv të saj nga publiku i gjerë.

Ky ligj, në vend që të adresojë problematikën e pronave në Shqipëri, thellon edhe më shumë konfliktin social në vend".

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Daku: 13/08/2020 20:34

    E beri cop cop kushtetuten ky hajduti ngado shkon me vete...esht i fiksuar mbas saj...po lere o gjytyrym se ka kopje te tjera..

    Përgjigju
  • O tej: 13/08/2020 16:45

    Meta hajdut

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Neymar do të bëhet baba për herë të katërt (VIDEO)

Neymar do të bëhet baba për herë të katërt (VIDEO)