Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për TVSH, pjesë e Paketës Fiskale! Komisioni i Ekonomisë ia rrëzon pas 2 orësh

Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për TVSH, pjesë e Paketës Fiskale! Komisioni i Ekonomisë ia rrëzon pas 2 orësh

Ilir Meta

Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi në ligjin  “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, janë kthyer nga Presidenti Ilir Meta. Sipas Metës ky ligj lejon trajtim fiskal të diferencuar, që në thelb shkel parime e të drejta themelore kushtetuese për mbrojtjen e të cilave Presidenti i Republikës, ka vendosur kthimin e këtij ligji për rishqyrtim.

"Për ilustrim, për subjektet që operojnë në fushën e turizmit argëtues, sportet ujore etj., nuk i është hequr përjashtimi nga TVSH për mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtim, apo heqja e shkallës së reduktuar për aktivitete dhe sektorë të tjerë.  Pra këto subjekte mbeten të favorizuara përmes përjashtimit nga TVSH.  Kjo do të thotë se, këto subjekte që operojnë në shitjen dhe tregtimin e mjeteve lundruese ngelen të favorizuara, ndërkohë që sektorë të veçantë të ekonomisë me më shumë nevojë, diferencohen dhe mbahen në presion fiskal të diferencuar dhe jo proporcional me nevojën që dikton mbështetja e tyre. Ndërkohë që, në përjashtimet e veçanta në import për makineritë dhe pajisjet, kufiri përpara këtyre ndryshimeve ligjore ishte në një vlerë mbi 50 milionë lekë. Ndërsa me ndryshimet ligjore, kemi 10-fishim të vlerës së kufirit minimal mbi të cilën vihet në zbatim përjashtimi përmes këtij ligji. Rritja e këtij kufiri, penalizon dhe rëndon mbi subjekte që zhvillojnë aktivitetin në këtë fushë. Përjashtimet nga zbatimi i regjimit ligjor fiskal, në mënyrë të diferencuar, rrezikojnë qëndrueshmërinë e vetë ligjit bazë për tatimin mbi vlerën e shtuar", thuhet në argumentimin e Metës.

Ndërkohë, Meta ktheu për rishqyrtim ndryshimet në ligjin për “Për taksat kombëtare”. Vetëm pak orë pasi i ktheu, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave rrëzoi dekretin e presidentit për kthimin e ligji për TVSH-në dhe atë “Për taksat kombëtare”. Sakaq, Komisioni i Ekonomisë rrëzoi edhe dekretin e Metës për “Buxhetin 2022”, të cilin ai e kishte kthyer një javë më parë.

Sa i takon Paketës Fiskale, ndryshon ligji për TVSH-në, ku hiqet kompensimi 6% për fermerët, rivendoset taksa 10% për inputet bujqësore dhe vendoset tavan i ri për investimet në bujqësi që përjashtohen nga pagesa e TVSH-së. Vetëm nga ndryshimet fiskale të propozuara qeveria ka deklaruar se pret që të mblidhen 5.2 miliardë lekë dhe të rritet formalizimi i ekonomisë.

Kujtojmë se më 10 dhjetor Presidenti Meta ka rikthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për 'Buxhetin 2022', duke e konsideruar atë 'plan financiar antisocial'.  Sipas Metës, 'Buxheti 2022' ka mangësi të transparencës në lidhje me shpenzimet dhe politikat sociale si dhe paraqet problematikë shumë shqetësuese në lidhje me nivelin e borxhit publik. Buxheti 2022 u miratua në Kuvend me 77 vota pro dhe 46 kundër më 25 nëntor të këtij viti dhe parashikon që të mblidhen 536.8 miliardë lekë dhe të shpenzohen 637.6 miliardë lekë. 

(Kliko këtu për dekretin e kthimit të ligjit për TVSH)

 

(Kliko këtu për arsyet e kthimit të ligjit për TVSH)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:52
E ktheu për rishqyrtim në Kuvend, për dy orë Komisioni i Ekonomisë i rrëzon Metës dekretin për ligjin e TVSH-së

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka rrëzuar dekretin e presidentit Ilir Meta i cili ktheu në Kuvend ligjin për TVSH, pjesë e Paketës Fiskale.

Po ashtu, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave rrëzoi dekretin e Metës për kthimin në Kuvend të ligjit 'Buxhetin 2022'.

Ora 18:46
Pasi ktheu ligjin për 'TVSH-në', Meta dekreton atë 'Për Akcizat', të dyja pjesë të Paketës Fiskale

Pasi njoftoi kthimin e ligjit për TVSH, Presidenti Meta ka dekretuar ligjin për 'Acizat', të dyja pjesë e Paketës Fiskale 2022.

"Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, ka dekretuar me shpallje ligjin nr. 114/2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Ky ligj u vendos të shpallej nga Presidenti i Republikës, për sa kohë synon konsolidimin e të ardhurave nga akciza, nëpërmjet përafrimit të tyre gradual me nivelin e akcizave të parashikuara në Direktivat e Bashkimit Europian, si dhe moslejimin e hapësirave ligjore për shmangie nga pagesa e akcizës, duke shfrytëzuar shkallët e diferencuara të saj për përdorues të ndryshëm", njofton presidenca.

K.T./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Rithemelimit, mbledhja e Këshillit Bashkiak zhvendoset online

Protesta e Rithemelimit, mbledhja e Këshillit Bashkiak zhvendoset online