Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot dhe përshëndeti veprimtarinë artistike-kulturore tradicionale “Sofra Tiranase 2019”, që u organizua në Pallatin e Kongreseve, ku u shpalosën vlerat më të mira të kulturës dhe traditës shumëvjeçare të këngëve dhe valleve të Shqipërisë së mesme.
Në prani të anëtarëve dhe miqve të shoqatës “Tirana”, personaliteteve të shoqërisë, artit dhe kulturës kryeqytetase si dhe përfaqësuesve të familjeve të shquara tiranase, Presidenti i Republikës shprehu urimet në këtë datë të rëndësishme historike të përvjetorit të shpalljes të Tiranës si kryeqytet të Shqipërisë.
“Tirana shënon këtë vit edhe 405-vjetorin e saj të themelimit si qytet. Dëshiroj të uroj qytetarët e Tiranës dhe gjithë shqiptarët: Gëzuar ditëlindjen e Tiranës dhe 99-vjetorin e shpalljes së saj kryeqytet! Vendimi i Kongresit të Lushnjës për shpalljen e Tiranës si kryeqytet ka qenë një vendim i gjetur dhe largpamës.
Tirana ia ka dalë me sukses të luajë rolin promotor të civilizimit shqiptar.Qyteti dikur i vogël, me arkitekturë modeste është shndërruar tashmë në metropolin ambicioz dhe qendrën më të madhe ekonomike, administrative, politike, universitare, mediatike, sociale dhe kulturore të vendit.
Përgjatë një shekulli, Tirana rezulton qyteti me transformimin më të madh urban dhe njerëzor të Shqipërisë, në të cilin sukseset dhe sfidat e përparimit janë të lidhura shpesh me arritjet e mbarë vendit. Kryeqyteti shqiptar hodhi shtat mbi trashëgiminë e një komuniteti vendas human, atdhetar dhe me vlera qytetare të arrira. Traditat tiranase si bujaria, mikpritja dhe solidariteti njerëzor ishin faktorë që i bashkuan shqiptarët e gjithë trojeve në një diversitet kulturor të larmishëm dhe harmonik.
Në këtë 99-vjetor ne përulemi me mirënjohje ndaj kontributit, historisë, mikpritjes dhe trashëgimisë kulturore të komunitetit tiranas.Tirana ka kontributin, atdhetarët dhe dëshmorët e vet në gjithë përpjekjen shqiptare për liri, demokraci dhe progres shoqëror.Kryeqyteti është modeli që i inspiron shqiptarët drejt demokracisë dhe qytetërimit perëndimore.Tirana përbën potencialin e mendimit të përparuar, energjisë rinore dhe kapaciteteve intelektuale.
Në të gjithë fushat e jetës, në arsim, shkencë, art, sport, kulturë dhe folklor, komuniteti juaj është ndër më të shquarit.”, – theksoi Presidenti Meta.
Duke nënvizuar rolin dhe kontributet Shoqatës “Tirana” dhe gjithë organizatave simotra të saj në Shqipëri, Presidenti Meta vuri në dukje se se “ato janë frymëzuesit e një shoqërie të shëndetshme si dhe mbrojtës e kultivues të vlerave tona qytetare, etno-kulturore, atdhetare e historike.
Në shoqërinë e sotme shqiptare është shumë i rëndësishëm angazhimi qytetar për të kultivuar solidaritetin, tolerancën, paqen, mirëkuptimin dhe drejtësinë sociale.
Roli i tyre bëhet më i ndjeshëm në edukimin dhe njohjen e brezit të ri të Shqipërisë me pasurinë shpirtërore dhe traditat më të mira kulturore”, - u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti Meta evidentoi disa nga personalitetet dhe familjet tiranase, të cilat kanë kultivuar e mbajtur gjallë traditën dhe krenarinë e kryeqytetit, duke shtuar se “ata janë aq të shumtë, sa që koha nuk do të na ndihmonte për t’i përmendur të gjithë.Për këtë arsye, nga numri pafund i qytetarëve të shquar të Tiranës, sot do të përzgjidhja për vlerësim njërin prej tyre.
Falënderoj kryesinë e shoqatës tuaj që ma lehtësoi përzgjedhjen dhe propozoi për vlerësim dhe dekorim, pikërisht atë që udhëheq me pasion e përkushtim për dekada me radhë shoqatën e Tiranës, Arben Tafajn. Jam i bindur se zoti Arben Tafaj përfaqëson në mënyrën më të mirë qytetarin e devotshëm të Tiranës. Z.Tafaj mbart të gjitha cilësitë e një drejtuesi të suksesshëm komuniteti.
Tek aktiviteti dhe kontributi i tij për Tiranën gjenden vlerat dhe pjesëmarrja e gjithësecilit prej jush.11 shkurtin ju keni zgjedhur ta festoni me këtë manifestim të shkëlqyer kulturor.Qytetarët e Tiranës dhe mbarë shqiptarët meritojnë të jenë përherë së bashku dhe të kenë më shumë ditë të lumtura e të gëzuara, takime kulturore, paqe dhe harmoni!Në këtë përvjetor të kryeqytetit ju uroj edhe njëherë: Gëzuar Festën e Tiranës sonë të dashur”.
Me këtë rast Presidenti Meta vlerësoi kryetarin e shoqatës “Tirana”, zotin Arben Tafaj me Titullin “Për merita të veçanta civile”: “Për shërbimin e çmuar dhe aftësitë e larta drejtuese në dobi të interesit të qytetarëve, institucioneve vendore, vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare; si dhe në ruajtjen e përsosjen e traditës e trashëgimisë kulturore të qytetit të Tiranës”. - tha Kreu i Shtetit.