Gjatë vizitës zyrtare në Hungari, Presidenti i vendit, Ilir Meta, u prit në një takim të veçantë edhe nga Kryetari i Parlamentit të Hungarisë, László Kövér. Duke u ndalur në miqësinë tradicionale midis dy popujve, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e veçantë lidhur me mbështetjen që populli hungarez dhe udhëheqësit e tij i kanë dhënë shqiptarëve në momentet kyçe të historisë.
Presidenti Meta vlerësoi vëmendjen që Hungaria dhe Parlamenti hungarez i kushton marrëdhënieve me Shqipërinë, si dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë e të qartë që i japin procesit të integrimit evropian të vendit.
Kryetari Kövér përshëndeti progresin e bërë nga Shqipëria në këtë drejtim dhe e siguroi Presidentin Meta se Parlamenti hungarez do vijojë ta mbështesë Shqipërinë pa asnjë rezerve në aspiratën e saj evropiane.
Bashkëbiseduesit vlerësuan rolin që mund të luajnë të dy parlamentet dhe në veçanti grupet parlamentare të miqësisë, për forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe rritjen e shkëmbimeve në fusha të ndryshme me interes reciprok.