Presidenti Bajram Begaj priti në Presidencë Nuncin e ri Apostolik në Shqipëri, Imzot Mirosław Adamczyk, i cili dorëzoi letrat kredenciale dhe nis zyrtarisht detyrën e tij diplomatike në vend.

Gjatë takimit u fol për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, të cilat u vlerësuan si shumë të mira dhe të konsoliduara ndër vite, edhe nëpërmjet vizitave të nivelit të lartë mes palëve.

Presidenti Begaj theksoi se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Vatikanit shkon përtej marrëdhënieve institucionale dhe mbështetet edhe në harmoninë fetare që karakterizon vendin.

“Arritjet në marrëdhëniet dypalëshe janë një bazë e fortë për intensifikimin e mëtejshëm të lidhjeve tona në të ardhmen, si dhe në promovimin e mëtejshëm të harmonisë fetare”, tha Begaj gjatë bisedës me Nuncin Apostolik.

Kreu i shtetit u ndal edhe te marrëdhëniet e shtetit shqiptar me komunitetin katolik në vend, duke theksuar se bashkëpunimi mes institucioneve publike dhe atyre fetare ndihmon në forcimin e kohezionit në shoqëri.

Në takim u përmend edhe çështja e Kosovës. Presidenti Begaj falënderoi Vatikanin për qëndrimet e mbajtura ndër vite dhe shprehu dëshirën që Selia e Shenjtë ta njohë Kosovën, si një hap që do të kontribuonte për sigurinë dhe paqen e qëndrueshme në rajon.