Presidenti Donald Trump tha se mirëpret ndihmën nga Rusia dhe Kina për çështjen e Koresë së Veriut, pas zhvillimit të një samiti këtë javë në Rusi, mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un. Por, siç njofton nga Departamenti i Shtetit korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, me ngecjen e negociatave mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, analistët thonë se Kim Jong Uni mund ta ketë përdorur samitin me Presidentin rus për të treguar se ai ka miq të tjerë dhe aleatë të fuqishëm dhe se nuk është i varur nga marrëdhënia me Presidentin Trump.
Bota po ndiqte ndërsa takoheshin në Vladivostok udhëheqësi dikur i izoluar i Koresë së Veriut dhe Presidenti i Rusisë. Ndoshta ky ishte edhe mesazhi i samitit. Presidenti Donald Trump tha se është i kënaqur me komentet nga takimi dhe me drejtimin e zhvillimeve për Korenë e Veriut.
“Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Kim Jong Unin. E vlerësoj që Rusia dhe Kina po na ndihmojnë. Kina mendoj se po na ndihmon pasi nuk dëshirojnë të kenë armë bërthamore fare pranë vendit të tyre”, tha Presidenti Trump.
Disa analistë thonë se perceptimi i Presidentit Trump për “ndihmën” e Kinës dhe Rusisë mund të ketë optimizëm të tepruar.
“Kjo u bë më tepër që Kim Jong Un dhe Vladimir Putin t’i demonstronin Shteteve të Bashkuara se nuk do të ndjekin axhendën apo prioritetet e Uashingtonit”, thotë Katie Stallard-Blanchette, e Qendrës “Wilson”.
Zonja Stallard-Blanchette thotë se Rusia dhe Kina nuk duket se kanë ndonjë nxitim për të arritur një zgjidhje të shpejtë të çështjes bërthamore të Koresë së Veriut.
“Nga pikëpamja e Rusisë, dhe mendoj që edhe Kina e mbështet, janë mjaft të interesuar të ruajnë status quo-në, për sa kohë që nuk ka prova bërthamore dhe tensionet nuk ngrihen në nivelin e vitit 2017. Ata do të ishin të kënaqur të zgjaste situata e tanishme”, thotë zonja Stallard-Blanchette.
Presidenti Trump u pyet edhe për njoftimin se Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord t’i paguajnë Koresë së Veriut 2 milionë dollarë për trajtimin shëndetësor të studentit amerikan Otto Warmbier, i cili pësoi dëmtime në tru gjatë mbajtjes në burg në Korenë e Veriut. Ai iu kthye SHBA-së në gjendje kome në vitin 2017 dhe vdiq vetëm gjashtë ditë më pas.
“Nuk paguam për Otton tonë të mrekullueshëm. Nuk dhamë para. Këto janë lajme të rreme”, tha Presidenti Trump.
Babai i Ottos, Fred Warmbier, tha se nuk ka patur dijeni për ndonjë faturë mjekësore , por e përshkroi si një “pagesë pengjesh” për të birin. VOA