Presidenti Zelenskyy i drejtohet Senatit amerikan mes debateve për ndihmën për Ukrainën

Presidenti Zelenskyy i drejtohet Senatit amerikan mes debateve për ndihmën për Ukrainën

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do t’i drejtohet Senatit amerikan të martën, mes përpjekjeve intensive të Shtëpisë së Bardhë për të bindur Kongresin që të miratojë urgjentisht fondet shtesë që i duhen Ukrainës për t’u mbrojtur nga agresioni rus.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer tha se presidenti Zelenskyy ishte ftuar të merrte pjesë virtualisht në një seancë konfidenciale në mënyrë që siç tha ai senatorët “të mund të dëgjojnë drejtpërdrejt nga ai mbi rëndësinë” e projektligjit që parashikon miliarda dollarë ndihmë për Ukrainën

Drejtorja e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, Shalanda Young paralajmëroi në një letër drejtuar udhëheqësve të Kongresit të hënën se në fund të vitit, Shteteve të Bashkuara do t’u mbarojnë fondet për të dërguar armë dhe ndihma në Ukrainë.

Ajo shton se kjo do të thotë që Ukraina "nuk do të jetë më në gjendje të vazhdojë të luftojë’.

Në tetor, administrata e presidentit Joe Biden i kërkoi Kongresit të miratojë afro106 miliardë dollarë për të financuar planet ambicioze të Shtëpisë së Bardhë për Ukrainën, Izraelin dhe sigurinë kufitare në Shtetet e Bashkuara.

Fondet për Ukrainën janë bërë temë debati politik, pasi disa ligjvënës republikanë në Kongresin e kontrolluar me një epërsi të lehtë nga partia e tyre, janë kundër ndihmave për Ukrainën.

Megjithatë, zonja Young shprehet në letrën e bërë publike lnga Shtëpia e Bardhë se ndërprerja e fondeve dhe dërgimit të armëve për Ukrainën do të shkonte në avantazh të Rusisë në fushën e betejës.

“Dua të jem e qartë: nëse Kongresi nuk vepron, deri në fund të vitit do të na mbarojmë burimet për të blerë më shumë armë dhe pajisje për Ukrainën, për të siguruar pajisje nga rezervat ushtarake të SHBA-së”, shkruan zonja Young.

BE - Ukrainë

Ndërkohë përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së takohen të martën për të diskutuar për shanset e hapjes së bisedimeve të anëtarësimit të Ukrainës në BE, sipas zyrtarëve dhe diplomatëve.

Takimi shënon fillimin e përgatitjeve për takimin e nivelit të lartë të udhëheqësve të vendeve anëtarë më 14-15 dhjetor, ku do të jepet një vlerësim për perspektivën e integrimit në BE për Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë, Bosnjën dhe vende të tjera.

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka kërkuar që anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian të mos futet në programin e takimit të BE-së.

Në një letër që i dërgoi presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili do të kryesojë takimin në Bruksel, zoti Orban këmbënguli se fillimisht duhet të zhvillohet një "diskutim strategjik" për të ardhmen evropiane të Ukrainës dhe paralajmëroi se këmbëngulja për marrjen e një vendimi mund të shkatërrojë unitetin e BE-së.

Kryeministri Orban, i cili konsiderohet gjerësisht si një nga aleatët më të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin në Evropë, thotë se Ukraina është "vite dritë larg" anëtarësimit në BE.

Ai u bëri thirrje udhëheqësve të BE-së që “të shmangin këtë skenar kundërproduktiv për hir të unitetit, vlera jonë më e rëndësishme”.

Ai nuk tha shprehimisht se Hungaria do të vërë veton ndaj një lëvizjeje të mundshme për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën, por një mundësi e tillë ishte e nënkuptuar.

Vendimet në lidhje me anëtarësimin në BE dhe buxhetin afatgjatë të BE-së, i cili përfshin 54.1 miliardë dollarë ndihmë për Kievin, mund të merren vetëm me konsensus nga 27 vendet anëtare.

Lufta Ukrainë - Rusi

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të martën se sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit shkatërruan ose frenuan të paktën 35 dronë ukrainas.

Ministria tha në platformën Telegram se parandaloi sulmet ukrainase ndaj Gadishullit të Krimesë dhe në Detin Azov.

Ushtria e Ukrainës tha të martën se Rusia ndërmori sulme gjatë natës me 17 drone Shahed të prodhuar nga Irani dhe se mbrojtja ajrore ukrainase shkatërroi 10 prej tyre.

Ushtria tha gjithashtu se Rusia lëshoi gjashtë raketa që kishin si objektiv rajonet Donetsk dhe Kherson./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Tirana çel 'Javët Kulturore Ndërkombëtare', Veliaj: Sot e gjithë bota ka ardhur në Tiranë, arti dhe kultura i bashkojnë njerëzit

Tirana çel 'Javët Kulturore Ndërkombëtare', Veliaj: Sot e gjithë bota ka ardhur në Tiranë, arti dhe kultura i bashkojnë njerëzit