Klubi i Vllaznisë ka reaguar në faqen zyrtare një ditë pas ndërprerjes së stërvitjes për shkak të presioneve dhe kërcënimeve që kanë ardhur në drejtim të zyrtarëve të klubit, përfshirë administratorin, drejtorin dhe trajnerin.
Në “facebook” Vllaznia ka shkruar:
Klubi i Futbollit “Vllaznia”, në përgjigje të interesit publik dhe të mediave sqaron:
Pasi jemi njohur me shqetësimin e ngritur nga stafi teknik ditët e fundit për veprime anti-sportive në ekipin e parë, po e shqyrtojmë me përgjegjësinë e duhur dhe në interesin më të lartë të klubit dhe tifozëve dhe në momentin kur të ketë një vendimmarrje, si gjithmonë, do t’i bëhet e njohur mediave dhe opinionit publik.
Po ashtu, sqarojmë se stafi i Klubit të Futbollit “Vllaznia” vazhdon i pandryshuar punën e tij të përditshme për të finalizuar objektivin e ringritjes në Superligë.”
Te Vllaznia prej vitesh ushtrohet presion për të ndërhyrë te lojtarët që zbresin në fushë, ndërsa për të njëjtën arsye vitin e kaluar u tentua të qëllohej me thikë ish-trajneri i shkodranëve Ernest Gjoka.