TIRANË- Lulzim Basha ka ‘blerë’ përkohësisht Partinë Konservatore për të garuar në zgjedhjet e 11 majit. Report Tv ka siguruar dokumentin që Basha ka dorëzuar zyrtarisht në Gjykatën e Tiranës me kërkesën për ndryshimin e emrit të Partisë Konservatore në emrin ‘Koalicioni Euro-Atlantik’.
Këtë lëvizje të Bashës, Report Tv e publikoi edhe një ditë më parë, ndërsa sot sigurojmë dokumentin e dorëzuar në Gjykatë. Vetë Basha nuk do jetë kryetari i partisë ‘Koalicioni Euro-Atlantik’, por atë do ia besojë Endri Hasës, një prej njerëzve më besnikë të tij.
Në dokumentin e siguruar nga gazetarja Danjela Maloku, thuhet se Konservatorët e kanë mbledhur Kongresin më 7/10/2024 dhe kanë vendosur t’ia japin partinë Bashës. Ndërkohë, kërkesa në Gjykatën e Tiranës është depozituar më datë 14 janar 2025. Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ende nuk ka reflektuar ndryshimet në regjistrin e partive politike, pasi kërkesa ende nuk është marrë në shqyrtim.
Lulzim Basha ka mbetur pa parti që pasi Gjykata e Apelit i dha vulën e Partisë Demokratike, Sali Berishës. Ai ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë, por ende nuk ka një vendim. Në këto kushte kur ende po lufton për marrjen e Partisë Demokratike, Basha ka nisur lëvizjet që mos të mbesë pa përfaqësim në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, pasi ‘Demokratët Euroatlantikë’ nuk janë të regjistruar zyrtarisht në Gjykatën e Tiranës si parti.