Pretendimet e Carës për kërcënime nga banda kriminale në Durrës, policia: E pavërtetë! Ka qenë debat për vendosjen e fletushkave poshtë dyerve të dy personave

Pretendimet e Carës për kërcënime nga banda kriminale në Durrës, policia: E pavërtetë! Ka qenë debat për vendosjen e fletushkave poshtë dyerve të dy personave

Policia e Durrësit i ka konsideruar të pavërteta pretendimet e Igli Carës për kërcënime nga anëtarë të bandave kriminale në Durrës ndaj të rinjve të FRPD-së. Në një reagim të bërë, policia bën me dije se ka shoqëruar në komisariat dy persona të cilët kanë patur debat me simpatizantët e rinj të FRPD-së dhe ata kanë deklaruar se thjesht kanë debatuar për mos t'u vendosu fletushka poshtë dyerve të shtëpive. 

Policia sqaron se i ka kërkuar kandidatit të Metës dhe Berishës në këtë bashki, që të bëjë denoncim mbi personat të cilët i konsideron si anëtarë grupesh kriminale, por Cara nuk është paraqitur për ta bërë një gjë të tillë. 

Reagimi i plotë i policisë:

Më datë 06.05.2023, rreth orës 14:00, kandidati për kryetar bashkie i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ka njoftuar me telefon se rreth orës 13:00, në një lagje në Sukth, Durrës, një grup prej 6-7 personash kishin qenë në këtë lagje, me një automjet me logo të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe sipas tyre, dy shtetas që drejtonin dy automjete, i kishin kërcënuar me fjalë që të largoheshin nga lagjja.

Në këto kushte është ftuar për të bërë kallëzim, kandidati për kryetar bashkie i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, por deri në këto momente nuk është paraqitur as ai dhe asnjë shtetas tjetër, për të bërë kallëzim në lidhje me pretendimin e ngritur gjatë telefonatës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së telefonatës, kanë vënë në dijeni prokurorin e gatshëm në Prokurorinë e Durrësit dhe më pas shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë shkuar në adresën e dhënë.

Pas informacioneve të marra, është bërë identifikimi dhe shoqërimi në Komisariatin e Policisë Durrës, i dy personave, konkretisht shtetasve F. T., 25 vjeç dhe A. M., 31 vjeç, banues  në Sukth, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë kërcënuar njeri, por kanë debatuar me personat që të  mos futnin postera dhe fletushka poshtë banesave të tyre apo t’i hidhnin ato në rrugë.

Në përfundim të veprimeve, materialet procedurale në ngarkim të dy shtetasve të mësipërm, do t’i dërgohen Prokurorisë, për vlerësim.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës sqaron opinonin publik se deklarata e bërë sot nga kryetari i FRPD dega Durrës, i cili foli për banda kriminale që iu bëjnë presion qytetarëve të Durrësit, për të tjetërsuar vullentin e tyre politik, është tërësisht e pavërtetë.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës siguron qytetarët dhe të gjitha subjektet politike, se ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit e të sigurisë, me qëllim mbarëvajtjen sa më të sigurtë të fushatës zgjedhore dhe se deri tani, në qarkun e Durrësit, nuk ka asnjë rast të cenimit të këtij procesi.

Në funksion të mbarëvajtjes sa më të qetë e të sigurtë të të gjithë procesit, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për qetësi dhe vetëpërmbajtje, duke mos përhapur panik me deklarata të pabazuara në fakte dhe fton cilindo që ndeshet me çfarëdolloj paligjshmërie, që të denoncojë në numrin pa pagesë 112, duke iu siguruar reagim të menjëhershëm dhe profesional.


Lajmi kryesor:

Igli Cara: Anëtarë të bandave kriminale kanë kërcënuar me jetë të rinjtë e FRPD! Policia e Durrësit: E pavërtetë, ka qenë një debat për fletëpalosjet


B.V/K.T./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë