Prokurori Alan Tieger tani po i rikthehet procesit gjyqësor duke përmendur se çfarë kanë thënë disa prej dëshmitarëve. Ai përsëriti se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin në vijën e parë të UÇK-së prej fillimit dhe kishin rol të rëndësishëm. Tieger përmendi që të dy kanë shkuar në Zvicër më 1994 dhe deri më 1998 janë kthyer në Kosovë çdo 3-4 muaj dhe kanë qëndruar aty për disa javë secilën herë.
“Thaçi dhe Veseli kanë pasur detyra të rëndësishme gjatë asaj kohe, të mbanin kontakte, të sillnin armë, përfshirë shtatë prej 12 RPG-ve që u përdorën në sulmet e sinkronizuara ndaj 12 stacioneve policore serbe në shtator të 1997-ës”, tha ai.
Prokurori e përshkruan Rexhep Selimin si person me lidhje të ngushta me Adem Jasharin dhe me rol të rëndësishëm në fushëbetejë dhe si dikush që gëzonte shumë respekt dhe besueshmëri nga luftëtarët. Sipas Prokurorisë, Selimi ka qenë organizator dhe pjesëmarrës në sulmet e vitit 1997 kundër forcave serbe.
“Ai gëzonte shumë respekt si ish i burgosur politik. Ndonëse ai ka pasur profil ligjor në LDK në vitet ’90, ai kishte kontakte me Adem Jasharin më 1991 dhe ishte përfshirë në UÇK prej 1993 dhe na ka shpjeguar se iu bashkua Shtabit të Përgjithshëm më 1997. Dhe ja, kështu u bënë bashkë të akuzuarit dhe ata vepronin në mënyrë kolektive”, tha Tieger.
Prokurori pretendon se të akuzuarit kanë kryer sulme kundër serbëve, anëtarëve të Partisë Socialiste Serbe – që kishin bërë fjalime në varrimin e dikujt që ishte vrarë nga anëtarë të UÇK-së – persona që pretendohej se bashkëpunonin me organet e pushtuesit apo merrnin pjesë në veprimtari tjera të paspecifikuar antikombëtare.
Lajmi kryesor:
LIVE - Gjyqi në Hagë në ‘kilometrin’ e fundit! Prokuroria kërkon 180 vjet burg për 4 ish-krerët e UÇK-së, nga 45 vite për secilin









