Të hënën nis faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Prokuroria, ekipi mbrojtës dhe të pandehurit do të kenë mundësinë që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, Artan Çerkini tregon se çfarë mund të dëgjohet në Speciale nga data 9 deri më 18 shkurt.
Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Avokati Artan Çerkini thotë se prokuroria edhe një herë “do të mundohet të bind gjykatën që akuzat e tyre janë të bazuara në fakte e prova”.
Blendina Veliqi, e cila është monitoruese në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se ky proces ka qenë i stërzgjatur.
Por, a pritet që shpejt të merret vendimi për katërshen e UÇK-së, këtë nuk e pret avokat Artan Çerkini.
Pesë protesta në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë organizuar vitin e kaluar nga kategoritë e dala nga lufta. Në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup, me mijëra shqiptarë protestuan me thirrje “Drejtësi për Çlirimtarët”.
Protestë tjetër do të mbahet në Prishtinë në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ky vit pritet të jetë vendimtar për katërshen e UÇK-së, të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë tash e pesë vjet.
Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës.
Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare./Kosovapress
Komente






