Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se pesë persona janë ndaluar për “cenim të vullnetit të lirë të votuesve në Graçanicë”, komunë me shumicë serbe në Kosovë.
Këto arrestime ndodhën pasi ministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, akuzoi Listën Serbe për “presion” dhe “frikësim” ndaj mbështetësve të tij, duke u bërë thirrje institucioneve kompetente të Kosovës që të reagojnë.
Sipas njoftimit, Prokuroria ka vepruar sipas detyrës zyrtare pas raportimeve mediale mbi pretendimet e Rashiqit, i cili është lider i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”.
Radio Evropa e Lirë (REL) më 18 maj publikoi dëshmi të disa personave që thanë se janë larguar nga puna sepse nuk e mbështesin Listën Serbe, por partinë e Rashiqit.
Ata kishin punuar për dekada në institucionet shëndetësore dhe arsimore të Serbisë në Kosovë, të cilat vitet e fundit udhëhiqen kryesisht nga anëtarë dhe zyrtarë të Listës Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që vepron me mbështetjen e Beogradit zyrtar.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar pesë (5) persona, shtetas të Republikës së Kosovës, të nacionalitetit serb, pasi që të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’ nga neni 210 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Më tej shtohet se Prokuroria ka mbledhur deklarata dhe prova mbi bazën e të cilave dyshohet se personat e arrestuar kanë qenë të përfshirë në aktivitete të paligjshme që lidhen me këtë vepër penale.
Lista Serbe pretendon se bëhet fjalë për “integrim të dhunshëm”
I menjëhershëm ishte reagimi i Listës Serbe. Zyrtari i saj, Igor Simiq, në konferencë për shtyp tha se janë arrestuar drejtorë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore, dhe se në këtë “më drejtpërdrejt ka marrë pjesë Nenad Rashiq, sepse ka targetuar serbët”.
Ai vlerësoi se në këtë mënyrë po kryhet “integrim i dhunshëm” i institucioneve shëndetësore dhe arsimore.
Këto institucione në mjediset serbe funksionojnë në sistemin e Serbisë dhe janë pothuajse të vetmet që kanë mbetur, pasi gjatë dy viteve të fundit të gjitha të tjerat janë mbyllur nga autoritetet e Kosovës, me arsyetimin se janë “paralele dhe ilegale”.
Çështja e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit serb në Kosovë është hapur në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri Albin Kurti deklaroi se sistemi i dyfishtë nuk është i qëndrueshëm dhe se nevojitet “inkorporimi dhe bashkimi i tyre”.
“Këto arrestime të sotme nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet, kjo është një përpjekje për të sulmuar shëndetësinë dhe arsimin serb dhe nga ana tjetër, nëse flasim për zgjedhjet, për t’i ndihmuar Nenad Rashiqit që me forcë t’i fitojë votat e popullit serb”, tha Simiq.
Ai deklaroi se punonjësit e “sanksionuar” në institucionet serbe që kanë mbetur pa punë kanë të drejtë ankese, dhe se drejtorët “i kanë kryer me nder detyrat e tyre”.
Reagime pati edhe nga autoritetet në Serbi. Zëvendëskryeministri dhe ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daqiq, deklaroi se “të gjithë personat që me veprimet e tyre kanë kontribuar në ndalimin e pesë serbëve, drejtorë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore të Republikës së Serbisë nga pjesa qendrore e Kosovës, do të ndiqen dhe sanksionohen në përputhje me ligjet e Republikës së Serbisë”, njoftoi MPB e Serbisë.
Në disa vendime për largim nga puna, të cilat REL-i i ka parë, thuhet se të punësuarit për një periudhë më të gjatë kanë shprehur publikisht bindjet e tyre politike, në kundërshtim me “interesat për të cilat përcaktohet popullsia serbe në Kosovë, e cila jeton në sistemin institucional që nuk e njeh Republika e Serbisë”.
Rashiq, në mbledhjen e Qeverisë në detyrë të Kosovës, më 14 maj, deklaroi se rreth 20 persona që e mbështesin atë janë larguar nga puna dhe se në periudhën e ardhshme pritet që edhe rreth 40 persona të tjerë të marrin vendime për largim nga puna vetëm në territorin e komunës së Graçanicës.
Rashiq, po ashtu, pretendoi se simpatizantët dhe anëtarët e partisë së tij po ndalohen në pikat kufitare me Serbinë nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), ku pyeten se për kë do të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë.
Lista Serbe i mohoi këto pretendime, duke thënë se Rashiq nuk ka legjitimitet dhe se po përpiqet të “arsyetojë” humbjen në zgjedhjet e ardhshme.
Në zgjedhjet e fundit, të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë mandatet parlamentare të rezervuara për komunitetin serb, ndërsa një mandat e fitoi partia e Rashiqit.
REL-i iu drejtua edhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë me pyetje nëse janë në dijeni për pretendimet mbi largimet nga puna për arsye politike në mjediset serbe në Kosovë, dhe nëse do të ndërmarrin hapa konkretë. Përgjigje nuk ka pasur.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, Lista Serbe do të ketë si kundërshtar të vetëm partinë e Rashiqit, i cili në dy raste ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Albin Kurtit./ REL
Komente








