Sefer Gordi, njeriu muzeum
Eshtë personazhi rrëfyes i reportazhit për A1 Report dhe gazetën Shqiptarja.com, në Feniksin e qëndresës, në Prezë. Këtu, tek pusi i vjetër i ndërtuar aty rreth shekullit të 18-të, ai ndalet dhe nis shpjegimet mbi këtë monument të ndërtuar pas pushtimit osman, pus që shërbeu për dhjetra shekuj si burimi kryesor i ujit të pijshëm për banorët vendas dhe ushtritë që qëndruan në kala: nga ajo e turqve, deri tek austriakët, italianët dhe gjermanët e shekullit të 20-të. Më pas Seferi, edhe si punonjës i Institutit të Monumenteve të Kulturës, na fton të vizitojmë kalanë nga brenda. Sipas tij, kalaja e Prezës është një kala e mbajtur mirë. Ndër më të mirat në Shqipëri ndoshta. Me mure të rëndë dhe porta hyrëse, që datojnë kohët bizantine dhe ato të mesjetës.
Dhe ku dora e njeriut sot ka bërë mrekullinë e ruajtjes së autenticitetit të tyre. E gjithë vepra hyn tek Monumentet e Kulturës. Por në veçanti kulla e sahatit, muret rrethuese, kullat mbrojtëse ose torrat, edhe këtu pusi i ushtarëve, ose pusi i brendshëm i kalasë, xhamia, që dikur ka qenë kishë dhe u transformua nga muslimanët e hordhive otomane dhe në veçanti kulla mbrojtëse e shëndrruar tashmë në një muze etnografik, janë disa nga perlat e qytezës fenix të Prezës. Dhe, me që ra fjala për muzeun, atje shkojmë fillimisht. Dhjetra, për të mos thënë qindra objekte të lashta, duke nisur nga enët dhe orenditë shtëpiake.
Albume me fotografi të dy shekujve të fundit, ku spikasin ato të ushtarakëve dhe udhëheqësve të kalasë; feudalë tiranas, feudalë turq, gjeneralë dhe ushtarakë austriakë, mbreti Zog në dhomën e pritjes me oxhak dhe me takëmet e rënda të një kafeterie, sa orientale, aq edhe perëndimore; veshjet tradicionale të zonës për gra dhe për burra; armë të ndryshme dhe paisje luftarake, që nisin me gjylet e topave të ushtrisë turke, me jataganët dhe pisqollat si dhe fotografitë e kullës së sahatit të vjetër, grabitur nga ushtarët austriakë; radio të vjetra italiane, ruse, hungareze, deri tek radio Iliria.
Një labirinth marramendës i gjithë muzeu, ku dora e Seferit, si krijues i tij, ka bërë mrekullinë me një punë prej dhjetra vjetësh. Sepse, vetë Seferi është bir i tokës prezjane dhe askush më shumë dhe më mirë se ai, nuk do ta bënte punën e një krijuesi muzeumi etnografik, si fytyrë e qytezës së tij të dashur.
Mullinjtë e vajit të ullirit
Dy janë simbolet e qytezës së Prezës: kalaja e lashtë dhe ullinjtë qindravjeçarë, të cilët i gjen në çdo shtëpi, madje ndanë rrugëve të qytezës ata formojnë tynele të gjelbërt, prej të cilëve vjen një aromë fantastike. Ajo çka do të shohim pak më vonë, një mulli i vjetër vaji, tregon traditën mijravjeçare të banorëve prezjanë, në artin e nxjerjes së vajit të ullirit. Thellë, mes rrugicave në në lagjen lindore të qytezës, shkojmë në shtëpinë e Bilal Tereziu. Aty gjendet një prej perlave tradicionale të zonës: një mulli artizanal për nxjerjen e vajit të ullirit. Brenda në mulli aroma e ullinjve dhe e vajit janë mrekullia e ditës së udhëtimit në qytezën fenix. Bilali është i rrethuar nga tre fëmijët e tij të vegjël.
Të cilëve ai ua mëson dita ditës zanatin e mullixhiut. Familja e tyre ka mbi 40 rrënjë ullinj, por këtu vijnë edhe banorë të tjerë të lagjes, edhe fisi dhe farefisi i Bilalit dhe i zonjës së tij. Ngarkuar me thasë me ullinj dhe me bidonë të mëdhenj për mbledhjen e vajit që nxjerr guri i madh i mullirit dhe gjithë sistemi i kësaj minifabrike të vogël artizanale dhe tradicionale. Govatat, koshat, cilindrat, fortesat. “Dikur, thotë Bilali, gurin e rëndë të mullirit e tërhiqnim me krahë. Guri është shumë i rëndë, peshon mbi tre kuintalë dhe ne bëheshim dy tre burra për ta rrotulluar. Ishte një punë shumë e rëndë, sfilitëse.
Pastaj vinim në punë dy kuaj. Ata e tërhiqnin osh gurin dhe ullinjtë, ndërsa shtypeshin e shtrydheshin, nxirnin currilat e jetës, vajin e ullirit. Derisa vumë mendjen në lëvizje dhe vendosëm ndanë gurit të mullirit një electromotor të vogël, sa për ta vënë në lëvizje. Dhe ja ku jemi tani. Mulliri vazhdon të na mbajë gjallë. Pa vaj ulliri nuk ka jetë. Është si buka për ne. E përdorim kudo. Në gatesa, si ilaç. Por edhe shesim ca vaj. Dalim në Tiranë dhe në Durrës dhe kemi njerëzit dhe poriositë e tyre. Vaji i ullirit është i pazëndësueshëm… “
Tezgjahu familjar
Lemë pas lagjen e mullinjve, sepse aty janë shtatë të tillë dhe zbresim në fushë, poshtë kalasë. Një tjetër surprizë, një tjetër perlë do të vijë pas pak në fokusin e kameras së A1 Report: ruajtja e traditës dhe punimeve në vegjë, apo në tezgjahë, nga gratë prezjane. Jemi në një vilë të bukur, me një oborr mbushur me trëndafilë dhe me një tendë rrushi, që t’i mer mendtë edhe ajo, për nga aromat dhe bukuria. Kjo është banesa e familjes Deliu. Kthejmë një gotë raki me të zotin e shtëpisë, sipas traditës, dhe shkojmë në pjesën e pasme të vilës.
Aty ku dëgjohet trak-traku i një vegle tradicionale, tezgjahut të drunjtë, ose vegjës, siç i thonë vendasit. Nënë Sherifja, afër të 80-tave, është ulur dyst me dyshemenë e një hajati dhe po end në vegjë një komplet çarçafësh, mbulesash tavoline dhe pecetash. Disa torka pambuku me ngjyra të ndryshme, janë e gjithë lënda e parë e tezgjahut. Nënë Sherifja thotë se e ka trashëguar vegjën nga vjehrra e saj dhe se e ka mësuar qyshse ishte vajzë e vogël, vetëm 14 vjeçe. Qysh nga ajo kohë, të gjitha rrobat e brendëshme dhe të jashtme të grave dhe të burrave të familjes, i kanë nxjerrë duart e saj të arta.
“Mëkat, thotë, se vajzat e reja i largohen gjithmonë e më shumë kësaj tradite të shkëlqyer. Që, veç të tjerash, nuk të le as pa bukë. Sepse shumë komshinj, shumë banorë vendas dhe larg nesh, vijnë e bëjnë porositë e tyre. Sidomos në prag dasmash. Dhe, me punën, mund edhe të fitosh diçka…”
O grua e mirë prezjane! T’i puth ato duar të arta!
Mbi Prezë bie mbrëmja. Kthehemi edhe ne në Tiranë, mbushur me mbresa dhe impresione të jashtzakonshme për qytezën e rrallë, qytezën feniks, që ngrihet mbi dritën e shekujve, si një Promethe i gjallë i zjarrit të jetës.
Feniksi
Kalaja e Prezës është rrënuar dhe rindërtuar disa herë ndaj dhe mori emrin qyteza Feniks, që simbolizon qëndresën dhe ripërtëritjen ndër shekuj
Veshjet
Nënë Sherifja thotë se e ka mësuar vegjën qyshse ishte vajzë e vogël. Qysh nga ajo kohë, të gjitha rrobat e brendëshme dhe të jashtme të grave dhe të burrave të familjes, i kanë nxjerrë duart e saj të arta.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Nëntor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)