Kopshti Zoologjik i Mexico City-t ‘San Juan de Aragon’ ka vënë në qendër të vëmendjes disa këlyshë ujku të egër, të cilët janë të parët e lindur në një ambient të ruajtur, pas tre dekadave në botën e egër. Këlyshët e vegjël 3 muajsh kanë tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve të cilët janë grumbulluar për t’i parë. Janë pesë këlyshë gjithsej, ndër të cilët 3 të gjinisë mashkullore dhe 2 femërore.

Kujdestari i kopshtit zoologjik, Antonio Rivera, tregon se ata kanë krijuar një ambient posaçërisht për ta, megjithatë shton se një çift prej tyre do të lihen sërisht të lirë, pas një trajnimi të posaçëm për t’iu përshtatur botës së egër, në mënyrë që lloji i tyre të mbetet i pacënuar.

Sipas zyrtarëve qeveritarë vetëm 300 ujqër Meksikanë janë në gjendje të lirë në botën e egër dhe ata po përpiqen bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rrisin numrin e tyre në të dy vendet. Rivera tregon se kjo do të arrihet nëpërmjet programit të posaçëm për trajnimin e tyre pa humbur identitetin e jetës së egër të kafshëve, çka deri më tani ka rezultuar një sukses i vërtetë.

Redaksia Online
(Suada B. / Shqiptarja.com)