Prezantohet “Filmi i premtuar”, Ruka: Është dhimbje, një film shqiptar e shohin vetëm 300 spektatorë

“Një film i premtuar” me skenar edhe regji të Petrit Rukës dhe producent Florenc Papas është prodhimi kinematografik që u prezantua në Arkivin e Filmit. Xhirimet e filmit të realizuar në Përmet kanë në qendër Shqipërinë e viteve ’90, kur sapo ishin ndërruar sistemet edhe disa fëmijë në fshatin Bënjë ëndërronin që të shihnin një film të vërtetë. Regjisori edhe skenaristi Petrit Ruka e konsideron prezantimin e filmit në kinemanë e arkivit, si moment të veçantë, sepse në këtë institucion, sipas tij, ruhet një thesar shumë i rëndësishëm i vendit tonë.

“Së pari, është një shfaqje e veçantë, sepse bëhet në Arkivin e Filmit ku ruhet një thesar i rëndësishëm, ndoshta pas Bankës Kombëtare ruhet thesari më i madh që ka Shqipëria. Së dyti, është një emocion shfaqja e një filmi edhe pse pas ka dëshpërimin, për mungesën e spektatorëve. Në Shqipëri prej 20 e ca vitesh kjo është një sëmundje. Gjithmonë edhe më pak ka publik, filmi nuk shkon në destinacion, nuk kemi rrjet kinemaje. Ky film do të ishte mirë që të shfaqej në kinema nëpër rrethe, por atje nuk ka kinema. Është kjo gjendje në Shqipëri. Nuk është për të vënë kujën, por sigurisht që nuk jemi edhe të gëzuar për këtë gjë. Është një film i bërë me mundim, por sidoqoftë është një gëzim i madh”, shprehet regjisori Petrit Ruka.

Ndonëse, filmi është xhiruar me shumë vështirësi (15 mijë euro), ndërkohë që është një e treta e një filmi të gjatë shkon deri 500 mijë euro. Regjisori e quan dhimbje të madhe faktin, se një film shqiptar e shikojnë vetëm 300-400 veta

“Dhimbje e madhe është. Një film kalon një vit, edhe nëse bëhet një përllogaritje mund ta kenë parë 300-400 veta. Kjo ndodh me të gjithë filmat shqiptarë. Taksapaguesit kanë të drejtë që të pyesin. Kur harxhohen 500 mijë euro a vlen që të marrësh 300 bileta në të gjithë Shqipërinë? Kjo është një situatë që duhet zgjidhur. Është alarmante edhe duhet zgjidhur situata, por sigurisht që nuk zgjidhet në mënyrë të menjëhershme. Kërkon kohë. Nuk di çfarë të thuash në këto raste, sepse vendi ka shumë probleme. Por edhe shpirti është pjesë përbërëse e jetës njerëzore”, shprehet Ruka, teksa vijon të thotë se: “Arti është një infeksion, nëse e merr, nuk i shpëton dot me asnjë lloj antibiotiku. Njerëzit vazhdojnë që të xhirojnë. Është një shenjë e mirë, që shteti shqiptar ka turpin edhe dinjitetin, që ta mbajë këtë Qendër Kinematografike. Është një gjendje minore, shumë e brishtë, por filmi po reziston, është i gjallë”.

Regjisori mendon se duhet një vëmendje më e madhe tek skenari, sepse filmi zemrën e tij ka dramaturgjinë.

“Zemrën e vet filmi ka dramaturgjinë. Është me vlerë. Nëse një film është i mirë në letër, jepja që ta xhirojë edhe një amator. Nëse ka një histori dramatike, ka jetë, ka vërtetësi. Është deviza, që çdo student i kinemasë e thellon. Cila është gjëja më e rëndësishme në film? Skenari. Po e dyta. Skenari. Po e treta? Skenari. Të gjithë elementët janë të rëndësishëm, por skenari është gjithçka. Ne kemi humbë skenaristët profesionist, si Teodor Laço, Vath Koreshi. Ndoshta, është nevoja që të specializohen edhe këtu skenarist. Por sidoqoftë, që edhe këtu do të vijë koha, që të ketë njerëz që të shkruajnë një skenar të mirë”, shton më tej Ruka.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën