Ti je farë, Petrit Ruka. Ti duhesh mbjellë

Ti je farë, Petrit Ruka. Ti duhesh mbjellë

Petrit Ruka

Për Petrit Rukën kam shkruar e kam shkruar… E do të shkruaj sa të kem jetë

Dhimbjen e thellë për largimin e tij drejt qiellit, sot dua ta sjell ndryshe. Do ta kujtoj me poezinë më të mirë që mendoj se kam shkruar ndonjëherë. Është një poezi e vetme, e lindur në një ditë gëzimi, në Ditlindjen e tij të 65-të.

Vetëm dy vjet më parë! Sa e pamëshirshme, moj jetë! Në rreshtat që vijojnë është Petriti, miku im i shtrenjtë. Ishte një ditë e gëzueshme. Ishte një urim. Është portreti im për të.

Edhe duke e lexuar, kushdo mund ta kuptojë se kjo është shprehja më e saktë e dhimbjes së thellë që kam sot.

Dhe ngul këmbë se ky përsëri është një urim!

SHKRIMI i ASAJ DITE

Ditlindja jote, një ditë e zakonshme, Petrit. Nuk ka ajo asnjë ndryshim nga dita para saj…

Në ditën e lindjes tënde, Petrit, nuk do të zhurmërojnë vizitorë me shumicë, nuk do të buçasin radjot dhe televizionet… Mbase do ta kujtojë ditën tënde ndonjë gazetë, por nuk do të ketë fishekzarë. Dhe nuk ka sepse të flakërojnë ata. Ti, për shumë e shumë bashkëkohës, je një njeri i zakonshëm. Një i lënë papunë që mbushi 65 vjet dhe që do të nisë tani të marrë rrogën e brishtë shqiptare të pleqërisë.

Po për mua, Petrit, nuk je ashtu…

Unë ta uroj Ditlindjen, i dashur dhe e kam ditë feste sot. Se kjo ditë dhe jo ajo para kësaj, më uli të të bëj urimin e përzemërt. Më jep rastin më shumë se sa të pij një gotë plot me verë të kuqe, të bëj një meditim të thellë mbi vlerat e tua, poeti im i dashur.

Ti, i shtrenjti miku im, je një nga zbulimet e fundit dhe nga zbulimet e bukura që bën njeriu gjatë jetës së tij në pemishten e madhe të letërsisë. Kam bërë unë zbulime të panumërta, Lasgushin, Kutelin, Çehovin, Dodènë, Xhek Londonin, Dostojevskin, Samerset Momin, Buxatin dhe jam munduar t’i shijoj të gjithë, pothuaj të gjithë frutat e tyre. Koha dhe studjuesit do të të japin rangun që të takon, a mbase nuk do të jenë një mendje me mua dhe nuk do të kujtohen për ty.

Por unë ty të zbulova si poet, pastaj si mik e pastaj si vlerë shoqërore, që pasuron thesarin e poezisë kombëtare…

Ti më pasuron edhe mua, o miku im, e më bën shpirtërisht më të pasur, ditë për ditë. E kështu vite me radhë.

Mua më mahnit palca e shtatit tënd poetik. Ti je, si rrallëkush, poet i dashurisë, i një dashurie të gjerë, i një dashurie universale për gjithëçka që ty të duket e bukur dhe hedh dritën tënde të mahnitshme mbi të. Ti dashuron fshatin e lindjes, femrën, Vjosën, malin, të vdekurit e tu të afërt dhe të vdekurit tanë të shquar. Dashuria jote shtrihet mbi krijimtarinë e pararendësve të tu të mëdhenj, mbi këngët çame dhe  kosovare, mbi vargjet e arbëreshve. Unë nuk kam hasur dot deri më sot një njeri të dashuruar kaq çmëndurisht sa ty, pas folklorit, pas balladave, fustanellave, pas krijimtarisë së lashtë të popullit tonë. Përrallat ty të kanë trimëruar dhe të kanë paisur me guximin e marrë të një figurshmërie, që e bën poezinë tënde sa rrënjësore aq edhe avangardiste.

Ti, Petrit, ke kënduar bukuritë, por nuk ka mbetur plagë shoqërore pa ndjerë dorën tënde të butë. Ke prekur papunësinë, emigracionin, hapat e mekura të përparimit shoqëror.

Po prapë unë do të kthehem te dashuria, dashuria, dashuria…

Ti i ke kënduar, Zhanit, gruas tënde të shtrenjtë dhe ne e citojmë dhe recitojmë atë himn. Dhe për një copë herë të marrim edhe inat, se na duket sikur gratë tona presin himne të tilla edhe nga ne, të pazotët.

Por në atë himn ti, i dashuri mik, i ke kënduar edhe grave tona. Të gjitha grave tona të mira.

Për ta mbyllur unë këtë “himnin” tim rilexova një tufë nga poezitë e tua të zgjedhura dhe matesha të veçoj për citim tri katër vargje. Lëkundesha mes “Ëndrrës me nuse” Për pak zgjodha vargje nga “Baba, ne ikëm” dhe “varrin ta futëm në video…”

Por iu ktheva përpjetë erosit dhe vendosa të ndalem aty. Se ndryshe do të më mallkojnë vajzat e bukura të hapësirave shqiptare, ngaqë i ke magjepsur me ato figurat plot finesë, të çifteve të zhveshur lakuriq që përqafen egërsisht përmbi dëborë dhe që me zjarrin e përqafimit shkrijnë dëborën nën vete dhe prekin truallin. 

Tek tërheqja pas hireve femërore do të ndalem, por jo tek zjarre të tillë, si ky më sipër. Po sjell një dashuri adoleshentësh, magnetizimin e një djali trembëdhjetë vjeçar:

………………………………………………..

  • për malin më të lartë, pyeti mësuesi
  • dhe pret që unë t’i them: Himalaja.
  •  
  • As sot s’e di pse mbeta si guak,
  • pse mbeta si hu e s’munda që të flas,
  • pse kokën e ktheva “pa dashje” aspak
  • nga gjiri i shoqes së bankës, në klasë…

I dashur Petrit

Le të ma marrin këtë urim, si shfaqje dashurie. Është dashuria ime këtë radhë. Më shumë se dithyramb kjo është një thirrje për vëmendje. Thirrje është fjalë e squllët. Klithmë! Klithmë, është ajo më e sakta. Një klithmë, sado e vetmuar!

Ty duhet të të hapin vend fletët e antologjive shkollore, Petrit. Parcelat mësimore duhet, duhet, duhet….. duhet t’i bëjnë vend blerimit tënd!

Ti je farë, Petrit Ruka. Ti duhesh mbjellë!

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!